1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zbehet perspektiva evropiane e Ballkanit

Në BE po shihet lodhje nga krizat dhe përvojat e këqija me zgjerimet e kaluara. Me komplikimin dhe ashpërsimin e masave për integrim, po vështirësohet edhe mundësia e antarësimit të shpejtë të vendeve të Ballkanit.

Lodhje nga zgjerimi i kaluar

Lodhje nga zgjerimi i kaluar

Ndonëse politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian është një prej bazave të tij, që nga themelimi, kohët e fundit po shtohen numri i atyre që thonë se zgjerimi i ka sjellur probleme të mëdha BE-së. Si pasojë po zbehen edhe premtimet e dhëna në samitin e Selanikut, në vitin 2003, ku vendeve të Ballkanit perëndimor u është thënë qartë se edhe ato do të jenë pjesë e Evropës së bashkuar.

Stefano Sannino, drejtor i përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Evropian, thotë se nuk ka ndonjë lidhje direkte mes krizës së fundit dhe zgjerimit të BE-së. Megjithatë ai shpjegon se procesi i anëtarësimit po bëhet gjithnjë e më i komplikuar: "Pjesërisht edhe për shkaqe politike dhe këtë nuk dua ta fshehi. Në disa vende ekziston përshtypja se vështirësitë janë shtuar pas zgjerimeve të kaluara. Ne kemi mësuar disa leksione nga zgjerimet e fundit.“

Stefan Füle në Beograd

Stefan Füle në Beograd

Në Bruksel thonë se rruga e Kroacisë, e cila deri në fund të vitit duhet të nënshkruajë marrëveshjen për anëtarësim, ishte më e vështirë se e vendeve që janë antarësuar më parë. Ndërsa rruga e vendeve të tjera do të jetë edhe më e komplikuar dhe e vështirë. Në BE ende nuk e përdorin fjalën "lodhje nga zgjerimet", por këtë e thotë eurodeputetja Ulrike Lunacek.

"Mendoj se lodhja është fakt i cili nuk ka të bëjë shumë me Ballkanin, por me shtimin e pasigurisë sociale brenda BE-së dhe me efektet e zgjerimeve nga viti 2004 dhe 2007. Mendoj se në këto raste nuk kemi qenë konseguent sa duhet, që këto vende t'i plotësojnë të gjitha kushtet për anëtarësim."

Lunacek shton se ka dhe pengesa të tjera politike në rrugën e antarësimeve të reja. Kjo s'ka të bëjë vetëm me plotësimin e kushteve, por edhe me zgjedhjet dhe zhvillimet politike në disa prej vendeve anëtare.

Polonia si udhëheqëse e radhës e BE-së ka konstatuar se gatishmëria për zgjerimin në vendet anëtare është i "përzier". Varshava megjithatë pret që deri në fund të vitit të ketë sinjale pozitive për vendet e Ballkanit. Për këtë rajon do të bisedohet në nivelin ministror në samitin e 5 dhjetorit, ndërsa katër ditë më vonë fjalën e tyre do ta thonë edhe liderët e BE-së. Artur Harazim, drejtor për politikën evropiane në ministinë e Jashtme të Polonisë thotë: „Besoj se Këshilli i Evropës do të marrë vendim që Serbia të fitojë statusin e kandidatit. Disa probleme janë ende të hapura, por kanë mbetur edhe disa javë për t'i zgjidhur ato së bashku me Komisionin, vendet anëtare dhe me Serbinë", pohon ai. Në Bruksel thonë se rezultatet bindëse dhe kualitative janë argumenti më i fuqishëm për afrimin e këtyre vendeve me Bashkimin Evropian.

Autor: Marina Maksimoviq/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama