1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zëri i ri i Berlinit në dialogun me Moskën

Roman Goncharenko / Pandeli Pani16 Janar 2014

Tonet kritike nuk do të jenë shumë publike, por s'do të ketë ndryshim kursi në politikën gjermane ndaj Rusisë.

https://p.dw.com/p/1ArMt
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në dialog me Rusinë Gjermania do të jëtë më pak kritike - të paktën publikisht. Ky është reagimi në qarqet profesionale për lajmin se deputeti socialdemokrat Gernot Erler do të jetë koordinatori i ri për Rusinë për marrëdhëniet me shoqërinë civile pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane. Qeveria gjermane do të vendosë për emërimin e 69-vjeçarit Erler ditët e ardhshme.

Erler flet rusisht dhe konsiderohet si njohës mjaft i mirë i Ervropës Lindore. Gjatë viteve 2005 - 2009 Erler qe sekretar shteti pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, që asokohe drejtohej nga Frank-Walter Steinmeier.

Paraardhësi i tij nuk pëlqehej nga Moska

Erleri pason në këtë post Andreas Schockenhoff. Politikani i CDU-së nuk pëlqehej në Moskë, sepse i kritikonte ashpër në publik zhvillimet e brendshme në Rusi. Në Gjermani veprimtaria e tij në këtë post vlerësohet me nota të ndryshme.

Deputetja e gjelbër Marie Luise Beck thotë se ajo është e trishtuar për zëvendësimin e Andreas Schockenhoffit. "Ai ka bërë shumë për shoqërinë civile ruse," tha Beck në një intervistë për Deutsche Welle.

Peter Schulze nga Universiteti Gëttingen mendon se mënyra se si vepronte Schockenhoff është e dështuar. Erleri mendon Schulze është përfaqësues i politikës së koalicionit të dikurshëm të madh ndaj Rusisë: "Domethënë theksimi i partneritetit në të gjitha fasetat".

Mirëkuptim për zhvillimet në Rusi

Schulze që dikur ka punuar për Fondacionin Friedrich-Ebert në Rusi mendon se Erleri nuk ka para vetes një detyrë të lehtë. "Rusia ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk lejojnë t'u thotë gjë dikush nga jashtë." Me vende të tilla duhet të "jesh në një dialog të vazhdueshëm," thoët Schulze. "Unë mendoj se gjëja e rëndësishme që mund të bëjë Erleri është t'i sugjerojë Moskës se një "politikë pak më ndryshe", është në interes të Rusisë."

Erler vetë tha për DW-në se nuk do ta kritikojë Rusinë më pak se paraardhësi i tij, por "se ne duhet të përpiqemi për ta kuptuar pozicionin e palës tjetër në sfondin e zhvillimeve politike dhe të së kaluarës".

Sipas expertit Hans-Henning Schrëder nga Fondacioni SWP do të ketë një gjallërim të politikës gjermane ndaj Rusisë dhe Lindjes dhe nuk pritet ndryshim radikal i kursit, sepse ai përcaktohet nga kancelarja Merkel, por se "toni mund të bëhet më i përmbajtur".

Aleksander Rahr, drejtor për studimet pranë Forumit Gjermano-Rus mendon se socialdemokratët kanë tani faktikisht mundësinë të vënë në jetë idetë e tyre për qëndrimin ndaj Rusisë dhe se toni i Berlinit ndaj Moskës do të bëhet pragmatik. Sipas Rahr parimi i politikës së SPD-së ndaj Lindjes është "transformim përmes afrimit".

Vlerësimet nga Moska

Ekspertët në Moskë e përshëndetën zgjedhjen e një socialdemokrati si të ngarkuar të qeverisë gjermane për Rusinë, por pa ndonjë eufori të madhe. "Erleri nuk është më pak kritik dhe pala ruse duhet të përgatitet se ai do t'i kritikojë veprimet konkrete të saj", tha Vladislav Belov, Drejtor i Qendrës për Studime për Gjermaninë pranë Akademisë Ruse të Shkencave. "Vetëm toni i kritikës do të jetë më i kujdesshëm", mendon eksperti.

Fjodor Lukjanov, Kryetar i Këshillit Rus për Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes beson se Erleri mund t'i ringjallë marrëdhëniet e ftohura mes Berlinit dhe Moskës dhe se kritikat do t'i shprehë më pak publikisht se sa paraardhësi i tij, gjë që mund të jetë strategji më e sukseshme.

Erler vetë e sheh detyrën e tij në zhvillimin e një "dialogu konstruktiv" me Rusinë. Përvoja e tij është që Moskës "t'i lihet një mundësi që të ruaj fytyrën"- thotë Erler.