1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ylli i ri Macron dhe konkurrentja e fortë Le Pen

23 Prill 2017

Franca votoi dhe balotazhin e siguruan Emmanual Macron dhe Le Pen. Zgjedhjet u pritën me interes të madh, për shkak se ato konsiderohen si vendimtare për drejtimin nga do të shkojë Europa.

https://p.dw.com/p/2blbS
Frankreich Präsidentschaftswahl
Fotografi: Reuters/P. Wojazer

Ylli i ri i politikës franceze, Emmanuel Macron, i cili hyri në këto zgjedhje si drejtues i lëvizjes „En Marche!" ia doli me sukses të kalojë në balotazh. Macron u shpreh për agjencinë e lajmeve AFP, se me "këtë hapet një kapitull i ri në jetën politike të Francës.” Ai theksoi se me këto zgjedhje „francezët kanë shprehur qartë dëshirën për ripërtëritje."

Sipas të dhënave zgjedhore të televizionit francez, France 2 dhe TF1, ish-ministri i Ekonomisë dhe proeuropiani 39 vjeçar, Macron arriti të marrë më shumë se 23% të votave në votimet e së dielës, por ai ka edhe një rivale të fortë përballë. Kandidatja populiste e Front National, Marine Le Pen po ashtu doli në balotazh, duke arritur madje një rezultat më të mirë se në zgjedhjet e vitit 2012. 48 vjeçarja, Le Pen ka arritur të marrë më shumë se 21,% të votave, duke përmirësuar rezultatin e 2012-s, që ishte 17,9%.

Konkurrentja Le Pen

Zgjedhjet u pritën me interes të madh në të gjithë Europën, për shkak se ato konsiderohen si vendimtare për drejtimin nga do të shkojë Europa. Rezultati pozitiv i kandidates djathtiste, Le Pen është një shok për Europën. MarineLe Pen kërkon daljen e Francës nga Bashkimi Europian dhe ndalimin e migracionit, nën frymën e Trumpit ajo përsërit fjalinë, në radhë të parë vijnë francezët. Politikanë të ndryshëm europianë e shohin suksesin e Le Pen si një sinjal alarmi për Europën. Politikani i CDU-së, Gunther Krichbaum e shikon me shqetësim rritjen e mbështetësve të kursit antieuropian në këto zgjedhje, por ai vlerësoi suksesin e Macron si „sinjal të vlefshëm" për bashkëpunimin gjermano-francez. Europa ka nevojë „më shumë se kurrë" për një Francë të fortë politikisht, tha kreu i komisionit parlamentar për Europën në Bundestag për Reuters.

Bildcombo Frankreich Präsidentschaftswahlen Macron Le Pen
Fotografi: picture-alliance/dpa

Rezultatet e kandidatëve të tjerë

Ndvërsa kandidati i majtë që shihej me shanse për të dalë në balotazh, Jean-Luc Mélenchon nuk e arriti rezultatin e pritur. Ai mori 19,5-20 të votave duke u ndjekur nga konservatori Fillon që llogaritet të ketë marrë 19% të votave. Rezulatet e votimit kanë qenë një shok për konservatorët, por edhe për socialistët e presidentit Francois Hollande. Kandidati konservator Fillon ka arritur të marrë rreth 19,5% të votave. Fillon pranoi humbjen dhe bëri thirrje që në balotazh vota t'i jepet Macron. Deputeti konservator, Francois Baroin e cilësoi rezultatin e Fillon „një tërmet" për konservatorët.

Edhe socialistët kanë pësuar një dështim historik në këto zgjedhje duke arritur të marrin rreth 7% të votave. Kandidati  Benoit Hamon u shpreh se „dështova të pengoj fatkeqësinë që ishte paralajmëruar dhe për këtë marr përgjegjësinë e plotë", tha Hamon duke u bërë thirrje përkrahësve socialistë të japin votën për Macron. Edhe kryeministri francez, Cazeneuve dhe ministri i Jashtëm, Ayrault bën thirrje që në balotazh vota t'i jepet Macron, njoftojnë agjencitë e lajmeve.

Frankreich Präsidentschaftswahl
Fotografi: Reuters/P. Rossignol

Pjesëmarrje e lartë në zgjedhje

Rreth 47 milionë francezë votuan të dielën nën masa të larta sigurie në raundin e parë të zgjedhjeve për presidentin apo presidenten e re të vendit, tre ditë pas atentatit të fundit ndaj policëve në Paris. Rreth 50.000 policë dhe 7.000 ushtarë siguruan mbarëvajtjen e votimeve. Zgjedhjet u pritën me interes të madh në të gjithë Europën, për shkak se ato konsiderohen si vendimtare për drejtimin nga do të shkojë Europa.

Votimet u karakterizuan nga një pjesëmarrje e lartë e zgjedhësve. Vetëm rreth 23% e votuesve u kanë qëndruar larg kutive të votimit, sipas ekspertëve të institutive të opinionit publik, Ifop-Fiducial dhe Harris Interactive. Kjo e bën pjesëmarrjen në zgjedhjet e këtij viti me rreth 77%, gati po aq e lartë sa në vitin 2012, ku në votime mori pjesë 80% e francezëve.

Pushteti i presidentit

Presidenti në Francë ka shumë pushtet, madje herë pas here ai cilësohet në Francë si „president-monark". Ai është kreu i ushtrisë dhe mund të marrë vendime për misione ushtarake apo përdorimin e armëve bërthamore. Për misione afatgjata ushtarake apo shpalljen e luftës ai ka nevojë për miratimin e parlamentit. Ndër kompetencat e presidentit në Francë bën pjesë edhe emërimi i kryeministrit të vendit dhe i ministrave të qeverisë, e cila sigurisht duhet të ketë mazhorancën në Asamblenë Parlamentare, pasi deputetët mund t'i rrëzojnë ata me votë mosbesimi. Ligjet në Francë i miraton parlamenti, por presidenti mund të shpërndajë parlamentin dhe të kërkojë referendume.