Thirrje bashkatdhetarëve për ëndrrën kineze
18 Mars 2013Në përfundim të Kongresit dyjavor Popullor të Partisë Komuniste të Kinës udhëheqësi i ri i partisë dhe i shtetit Xi Jinping premtoi prosperitet dhe një socializëm me karakteristika kineze. Në analogji me ëndrrën amerikane ai u përbetua për "ëndrrën kineze": "Për të realizuar ëndrrën kineze, ne duhet të përshkojmë rrugën kineze dhe për këtë ëndërr kineze ne të gjithë duhet të punojmë dhe të përpiqemi shumë." - tha Xi Jinping.
Presidenti i ri Xi Jinping synon gjithashtu të forcojë ushtrinë dhe njoftoi se do të rritë shpenzimet ushtarake.
Megjithatë, rruga kineze ka shumë të probleme dhe të meta dhe këtë e di edhe presidenti Xi, i cili thotë se ka nevojë për të vepruar: "Ne do t'i kundëvihemi fuqimisht formalizmit, burokracisë, do t'i kundërvihemi vendosmërisht hedonizmit, ekstravagancës dhe do të vazhdojmë luftën e vendosur për të zhdukur korrupsionin. Ne do të përqafojmë cilësitë e natyrshme politike të anëtarëve të partisë komuniste dhe zotohemi për të luftuar për kauzën e partisë dhe të popullit. "
Për shkak të pasurisë së familjes së tij, kryeministri që po largohet, Wen Jiabao, ishte kohët e fundit në qendër të kritikave, dhe raporti i tij vjetor u shoqërua me një numër të habitshëm votash kundër.
Pasardhësi Wen Jibaos, Li Keqiang deklaroi në konferencën e tij të parë për shtyp se do të ndërmarrë hapa të ashpër: "Ne do të krijojmë mekanizma të shëndoshë në mënyrë që zyrtarët të mos jenë në gjendje dhe të mos guxojnë që të ushtrojnë korrupsion. Ne do t'i ndëshkojmë zyrtarët e korruptuar me forcën më të fortë të ligjit. Edhe më e rëndësishme është që të sigurojmë që vendimet dhe pushteti do të jenë të hapura dhe transparente."
Li Keqiang dëshiron të luftojë edhe kundër ndotjes së mjedisit. Po ashtu ai do të garantojë siguri për prodhimet ushqimore dhe të zvogëlojë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Udhëheqja e re e Kinës i ka vënë vetes plane të mëdha. Tani mbetet të tregojë që është në gjendje ta bëjë realitet ëndrrën e saj kineze.