1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Xhihadi digjital

Manasi Gopalakrishnan24 Qershor 2015

Mediat sociale janë një mjet shumë efektiv dhe emocional për të përhapur një mesazh. Dhe ekstremistët islamikë po përdorin me forcë mediat sociale për të përhapur qëllimet e tyre.

https://p.dw.com/p/1FmUB
Fotografi: picture-alliance/AP

Në dhjetor të vitit të kaluar, policia indiane arrestoi një 24-vjeçar. Ai akuzohet se ka përdorur nga Bangalore një llogari twitter në favor të "Shtetit Islamik". I akuzuari, Mehdi Masroor Biswas, ishte një inxhinier për software mjaft i zoti dhe dukej se e kishte të sigurt një karrierë të suksesshme. Ai i përdori aftësitë e tij për të mbledhur në llogarinë e tij twitter më shumë se 20.000 pasues.bAktivitetet e Biswas-t dhe rekrutuesve të tij tregojnë se si terroristët i përdorin mediat sociale në mënyrë efektive për objektivat e tyre militante.

Taktika e terroristëve

Propagandavideo IS Balkan
Fotografi: Propagandavideo Islamic State via Al Hayat/YouTube

Mediat sociale janë një mjet shumë efektiv dhe emocional për të përhapur një mesazh. Në vitin 2009, mediat sociale ia kaluan pornografisë si aktiviteti numër një në internet, thotë Maria Ressa, drejtore e rrjetit social të lajmeve "Rappler". Ajo citon nga një studim i Universitetit Stanford: "Dikush që përdor mediat sociale, ka nivele të larta dopamine dhe oksitocine", të cilat konsiderohen si hormone të lumturisë dhe të dashurisë.

Postimet në twitter dhe facebook i përcjellin lexuesit emocione, dhe postimet e grupeve terroriste në twitter shpesh perceptohen si "shaka apo diçka gazmore", thotë Gulmina Bilal, drejtuese e OJQ-së "Individualland" nga Pakistani. Grupet xhihadiste përdorin strategji propagandistike të specializuar sipas grupeve të synuara. Për shembull facebook-un e përdorin për të arritur të rinjtë ose gratë shtëpiake. Madje edhe për fëmijët nën moshën tetë vjeç ka libra me ilustrime për Xhihadin në mënyrë që ata të njihen me ideologjinë.

Viktima tipike

Varfëria, vetmia ose vuajtjet nga dashuria mund ta favorizojnë ndikimin e mesazheve të grupeve terroriste ndaj njerëzve të thjeshtë dhe të bëjnë që ata të bien pre e tyre dhe të marrin ideologjinë e tyre, thotë Bilal. Disa kërkojnë ndihmë tek miqtë, të tjerët bien pre e grupeve terroriste dhe agjitatorëve të tyre.

Milicia Al-Shabaab në Somali, për shembull, shpesh premton shumë para dhe një të ardhme më të mirë, për të rekrutuar luftëtarë në Kenia dhe Tanzani, tha në Global Media Forum Bakari S. Machumu, drejtor i kompanisë mediatike "Mwananchi Communications" nga Tanzania. Të rinjtë shpesh kanë shkuar në një kamp trajnimi terrorist, sepse besonin se mund të punonin atje dhe të dërgonin para për familjet.

Edhe agjitatorët terroristë në Afganistan kritikojnë shumë shpesh qeverinë apo forcat e huaja si NATO apo Shtetet e Bashkuara, që ishin në vend por pa e përmirësuar vërtetë gjendjen atje. "Ata premtojnë të holla. Ka shumë njerëz të papunë të cilët bashkohen me ta", thotë Lotfullah Najafizadah, drejtor i stacionit televiziv afgan Tolo News, në një intervistë me DW.

Lufta kundër terrorit në internet

Propagandavideo IS Balkan
Fotografi: Propagandavideo Islamic State via Al Hayat/YouTube

"Dikur nuk e dinim se çfarë mendonin terroristët. Kur mediat sociale ende nuk ekzistonin, mesazhet ishin lineare. Kjo është sot ndryshe," thotë Fathy Abou Hatab Muhamedi nga kompania mediatike egjiptiane Al-Masry. A po e humbasin pra mediat, qeveritë dhe shoqëria civile betejën kundër ekstremistëve, të paktën në mediat sociale?

"Kjo është një luftë e përditshme, në çdo orë ," thotë pakistanezja Gulmina Bilal. Përsa i përket Pakistanit, sulmi i dhjetorit ndaj një shkolle në Peshavar, ku gjetën vdekjen rreth 160 vetë, shumica e tyre fëmijë, e ka tronditur vendin. Qeveria e ka marrë seriozisht luftën kundër ekstremizmit, dhe ajo është e gatshme për të bashkëpunuar për zbulimin e aktiviteteve terroriste me organizatat e shoqërisë civile. Llogaritë përkatëse në twitter dhe faqet e Facebook mbyllen, edhe pse ato shfaqen sërish menjëherë pas mbylljes.

Liria vuan

Por lufta kundër terrorizmit bie pothuajse gjithmonë në kurriz të lirive civile. Në Tanzani thotë gazetari Machumu, është rritur mosbesimi mes qeverisë dhe shoqërisë civile pas miratimit të ligjeve kundër krimit kibernetik. Ligjet e reja i lejojnë policisë, për shembull, që të sekuestrojnë kompjuterët e gazetarëve.

Por ka shpresë. Edhe në vende të tilla si Afganistani, ku frika prej talebanëve është e madhe, njerëzit kanë filluar tani të flasin publikisht kundër terroristëve dhe të shkruajnë në mediat sociale kundër ideologjisë së tyre, thotë Lotfullah Najafizada nga Tolo News.

E ndërsa në Global Media Forum po debatohej për terrorizimin kibernetik ndodhi një zhvillim i papritur, kur në DW-Twitter-Hashtag u shfaq një spam-tweet:

Sikurse merret vesh nga ky tweet, terroristët e IS-it mundën të hyjnë në faqen e DW-së - një paralajmërim i frikshëm se si funksionon terrorizmi kibernetik, ndërkohë që debatohet për të.