1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Wrestling apo duele politike?

Wrestling apo debat politik? Kjo nuk qe gjithmonë e qartë. Por prej tyre doli një fitues i qartë politik.

Qetësi, mos brohorisni, mos fyeni - moderatorët e tri dueleve televizive mes Hillary Clinton dhe Donald Trump dukeshin si të ishin mësues që kishin përpara një klasë të pabindur së cilës duhet t'i tërhiqnin vazhdimisht vëmendjen.

Akuza, fyerje, kërcënime, thashetheme se Trumpi konsumon kokainë apo kërkesë nga ana e Trumpit për provë për doping për Clintonin - debatet kishin të bënin pak me politikën dhe ngjanin me një ndeshje politike wrestling në baltë. Për ekstremizëm dhe ekzocentrizëm u shqua sidomos në debatet një dhe dy kandidati i konservatorëve Donald Trump. Kurse "Hillary Clinton i zhvilloi debatet sikurse pritej." - thotë për DW-në Kathleen Hall Jamieson, drejtore e Public Policy Center të Universitetit të Pensilvanisë.

Për shkak se debatet ishin pak të përqëndruara tek politika dhe më tepër një "nonstop action-wrestling" është e pamundur që të bësh një krahasim të planeve politike dhe të pozicioneve të dy kandidatëve, sqaron politologia Kathleen Hall Jamieson. Për këtë arsye sipas saj debatet ishin larg qëllimit të tyre.

Shancet për Hillary Clinton shtohen

Megjithatë debatet e patën një efekt, shton Jamieson. Sipas analizave të saj të bëra në bazë të sondazheve me 5000 vetë, "Trumpi pas debateve i ka humbur votat e të pavendosurve." Po ashtu pas debateve është shtuar edhe numri i atyre që duan të votojnë për Hillary Clintonin me bindje dhe jo sepse duan të votojnë kundër Trumpit është shtuar.

Këtë e vërtetojnë edhe analizat e mjaft sondazheve të tjera, si ato të blogut FiveThirtyEight. Para debatit të parë më 28 shtator shancet e Trumpit për të fituar ishin 45%, kurse tani ato janë 13%.

Kuota të larta shikimi

Duelet mes kandidatëve për presidentë u ndoqën prej miliona vetësh, si drejtpërdrejt në TV edhe në Youtube apo platforma të tjera. Të paktën sa u përket kuotave të shikimit Clinton dhe Trump e kanë ngritur nivelin mjaft lart. "Disa njerëz i kanë ndjekur duelet sikur të ishin gara me makina, ku në çdo moment njëra makinë do të përplaset me tjetrën." - thotë politologia Jamieson. "Natyrisht që askush nuk do që të ketë të plagosur, por është i mrekulluar kur ndodh sepse vazhdimisht mund të ndodhë ndonjë gjë e papritur.