1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jemen Anschlag

Mimoza Cika-Kelmendi22 Maj 2012

Sulmi terrorist në Jemen që shkaktoi 96 të vdekur është dënuar ashpër nga ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Ai premtoi mbështetje për presidentin Hadi në procesin paqsor të pajtimit në Jemen.

https://p.dw.com/p/14zqz
Ekipe të ndihmës shkojnë në vendin e ngjarjes
Ekipe të ndihmës shkojnë në vendin e ngjarjesFotografi: Reuters

Pas sulmin të rëndë vetëvrasës në Jemen, presidenti Abed Rabbo Mansur Hadi njoftoi për vendosmërinë e luftës kundër terrorizmit. "Kjo do të vazhdojë deri në fitore", deklaroi ai në televizion. Një ditë më parë si pasojë e një sulmi gjatë një prove për një paradë ushtarake ishin vrarë të paktën 96 ushtarë dhe 200 të tjerë kishin mbetur të plagosur.

Nga qarqet ushtarake bëhet e ditur se atentatori ishte një ushtar, i cili hodhi veten në erë në afërsi të pallatit presidencial në kryeqytetin Sana. Parada ishte planifikuar për këtë të martë në ditën e festës kombëtare të Jemenit. Ministri i Mbrojtjes Mohamed Nasser Ahmed nuk u plagos nga ky sulm.

Për këtë sulm të përgjakshëm përgjegjësinë e mori dega rajonale e Al Kaidës, e cila përmes një deklarate në faqen e internetit shkruan që si qëllim kishte pasur ministrin e Mbrojtjes. Ky krah terrorist paralajmëroi edhe për sulme të tjera në shenjë hakmarrjeje.

Vendosmëri kundër terrorizmit

Ministri gjerman i mbrojtjes Guido Westerwelle nga Çikago, ku merr pjesë në samitin e NATO-s e dënoi ashpër këtë sulm dhe premtoi mbështetje për presidentin Hadi:

"Unë e dënoj ashpër sulmin terrorist në Jemen. Ne nuk do të lejojmë që terrori të fitojë. Ne qëndrojmë edhe më tej për një ndryshim paqësor në Jemen dhe do të përkrahim punën e presidentit Hadi. Këta njerëz duan procesin politik të pajtimit ta pengojnë me dhunë, me terror. Ne të gjithë si bashkësi ndërkombëtare e dënojmë ashpër këtë sulm vetvrasës. Dhe përpjekja jonë mbetet një pajtim në Jemen duke përfshirë mbështetjen e presidentit Hadi".

Sulmi i ditës së hënë erdhi si pasojë e një ofensive që qeveria e Jemenit e mbështetur edhe nga SHBA kishte ndërmarrë ndaj militantëve, të cilët kishin në zotërim rajonin jugor. Aty vitin e kaluar vendi u përfshi nga kryengritja kundër ish presidentit Ali Abdullah Saleh.

Autor: dapd/dpa/Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi