1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle bën thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në Kosovë

Pandeli Pani1 Nëntor 2013

Ministri i Jashtëm gjerman u kërkoi të gjithë liderëve politikë që të angazhohen për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

https://p.dw.com/p/1AA4f
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në prag të zgjedhjeve lokale që zhvillohen të dielën (3 nëntor) në Kosovë Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle tha sot (01.11.) në Berlin se e përshëndet shprehimisht faktin që në zgjedhjet lokale në Kosovë po mbahen për herë të parë edhe në veri të vendit. "Ky është një hap tjetër i rëndësishëm për zhvillimin politik të Kosovës."

Më tej Westerwelle tha: "Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje të rëndësishme. Përmes pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje të gjithë qytetarët mund të garantojnë që zëri dhe shqetësimet e tyre të dëgjohen në Kosovë."

Serbien Wahl
Fotografi: AP

Tregues i rëndësishëm për zhvillimin demokratik të Kosovës

Ministri i Jashtëm gjerman u kërkoi të gjithë liderëve politikë që të angazhohen për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. "Zgjedhjet janë një tregues i rëndësishëm për zhvillimin demokratik të Kosovës." - tha Westerwelle.

Perspektiva e Kosovës si dhe fqinjëve të saj në Ballkanin Perëndimor është në BE, theksoi Westerwelle. Zgjedhjet e suksesshme janë të një rëndësie të madhe për avancimin e mëtejshëm në këtë rrugë të afrimit me BE-në.