1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle: Assadi në bankën e të akuzuarit ose në ekzil

dw13 Gusht 2012

A duhet kryetari i shtetit sirian, Assad të përgjigjet para Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës? Ministri gjermani Jashtëm, Westerwelle thotë po. Një takim i Ligës Arabe për Sirinë u shty për më vonë.

https://p.dw.com/p/15oLZ
Guido Westerwelle, ministri i Jashtëm gjerman
Guido Westerwelle, ministri i Jashtëm gjermanFotografi: dapd

"Më e mira do të ishte të nxirrje Assad-in para Gjykatës Ndërkombëtarë të Hagës," thotë ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle për gazetën gjermane"Bild am Sonntag". Në mënyrë që të pengohet gjakderdhja, për ministrin gjerman është e imagjinueshme edhe dalja në ekzil e Baschar al-Assad-it. "Nëse Assadi largohet vullnetarisht jashtë vendit, në mënyrë që të pengojë gjakderdjet e tjera, atëherë ndjekja penale për mua nuk do të ishte prioritare."

Westerwelle kritikoi Rusinë dhe Kinën për sjelljet në Këshillin e Sigurimit: "Rusia dhe Kina mbajnë përgjegjësi të rëndë nëse nuk i japin fund bllokadës politike në Këshillin e Sigurimit dhe i largojnë dorën e mbështetjes Assadit."

Ministri i Jasthëm hodhi sërish poshte idenë e sulmeve ushtarake mbi Sirinë: "Në situata të tilla ekziston një ndjenjë pikëllimi dhe mungese force. Një ndërhyrje ushtarake do t' i shtonte problemet nuk do t' i zvogëlonte, sepse me ndërhyrjen ushtarake ekzison rreziku i shpërthimit të mëtejshëm."

Hillary Clinton
Hillary Clinton, ministra e Jashtme amerikaneFotografi: picture-alliance/dpa

SHBA dhe Turqia krah njeri tjetrit në rastin më të keq

E shqetësuar nga përdorimi i mundshëm i armëve kimike dhe ashpërsimi i gjendjes së refugjatëve në Siri, SHBA dhe Turqia kanë bashkuar forcat strategjike. Me krijimin e një Taskforce të përbashkët, po bëhen përgatitjet për rastin më të keq, njoftuan ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton dhe kolegu i saj turk Ahmet Davutoglu, pas një takimi në Stamboll. Ky shtab krize do të jetë përgjegjës për koordinimin e reagimeve në nivel ushtarak, politik dhe të shërbimeve sekrete, nëse do të ketë përdorim të armëve kimike apo rritje dramatike të numrit të refugjatëve.

Davutoglu, vuri theksin tek krijimi i një "zone sigurie" në Siri, për të mbrojtur refugjatët nga sulmet e mundshme të trupave apo avionëve ushtarakë të Assadit. "Ne duhet të përgatitemi në rast të një sulmi", tha Davutoglu më tej, pa përmendur hollësi. 55.000 sirianë ndodhen aktualisht në Turqi, ku kanë gjetur strehim. Përditë 2 deri 3 mijë vetë largohen nga vendi. Sipas të dhënave të Kombevetë Bashkuara, 150 mijë sirianë janë larguar në vendet fqinjë.

Për çështjen e krijimit të zonës së ndalim- fluturimit në territoret që mbahen nga rebelët, Clinton tha se kjo është një pikë për të cilën është duke u biseduar intensivisht me Turqinë. Krijimi i zonës së ndalim- fluturimit duhet bërë me mjete ushtarake, gjë të cilën perëndimi është duke mos e favorizuar tani për shkak të Rusisë dhe Kinës. Në vitin 2011 perëndimi përkrahu luftën e rebelëve libianë kundër pushtetmbajtësit Muammar Gaddafi, me krijimin e një zonë të ndalim- fluturimit.

Refugjatë sirianë në Jordani
Refugjatë sirianë në JordaniFotografi: Reuters

Marina britanike bën manovra në Mesdhe

Në sfondin e konfliktit në Siri, ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur në Londër pjesëmarrjen e anijeve ushtarake në manovrat që zhvillohen në Mesdhe. Dërgimi i anijeve është planifikuar prej kohësh për tu realizuar në tetor apo nëntor dhe është pjesë e një manovre me aleatët në kuadër të "Response Force Task Group" (RFTG), tha një zëdhënës i ministrisë. Mediat ruse patën njoftuar më parë se Britania e Madhe dhe Franca kanë bërë plane për dërgimin e aeroplanmbajtëseve në ujërat para Sirisë. Siria kufizohet në perëndim me Mesdheun.

RFTG është një trupë e shpejtë marine që përdoret për rastet e krizave në gjithë botën, tha ministria. është e vetëkuptueshme që në janë përgatitur një seri skenaresh të mundshme, nëse rasti bëhet serioz. Aktualisht nuk janë bërë ndryshimë në planifikimet afatgjata të RFTG.

Arabët shtyjnë takimin

Një takim i planifikuar për tu mbajtur ditën e dielë, i vendeve të Ligës Arabe u shty pa bërë të ditur arsyet. As data e re e takimit të ministrave të Jashtëm, i planifikuar për tu mbajtur në Xhidda të Arabisë Saudite, nuk u bë e ditur. Në këshillime do të bëhej fjalë për të ngarkuarin e ardhshëm të KB me Sirinë dhe Ligës Arabe. Për këtë post është propozuar ish ministri i Jashtëm algjerian, Lakhdar Brahim.