1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100510 Porträt Rooney

17 Qershor 2010

Pamja e tij e jashtme të gënjen: Wayne Rooney të kujton një dem të fortë. Por në fakt ai është i shpejtë, arrin të kthehet me shpejtësi dhe ka përvojë teknike.

https://p.dw.com/p/Nt1B
Wayne Rooney
Wayne RooneyFotografi: AP

"Roo", siç quhet lojtari i Manchester United ka qenë që prej rinisë së tij të hershme një sulmues i talentuar. Por në sajë të shpërthimit të tij si lojtar në këtë sezon, ai konsiderohet për momentin si njëri ndër më të mirët, në mos sulmuesi më i mirë i botës. Vetëm në Champions Leaugue ai ka shënuar në shtatë ndeshje pesë gola. Para pak kohësh, gazetarët anglezë e zgjodhën atë sportist të vitit.

Kjo nga një anë ka të bëjë me faktin, që pas largimit të Cristiano Ronaldos, Rooney ka mundësi të luajë si qendërsulmues i vërtetë. Nga ana tjetër, ai ka arritur që agresivitetin e pakontrolluar të mëparshëm ta kanalizojë me ndihmën e një psikologu: "Me sa duket unë kam marrë në të kaluarën disa vendime shumë të këqia. Unë nuk kam qenë njeriu më i mirë, por unë dua të mësoj, që të bëhem më i mirë, që në të ardhmen të mos kem më probleme".

Wayne Rooney
Wayne RooneyFotografi: picture-alliance/dpa

Më përpara Rooney-n e kishe gjithmonë të gatshëm për një skandal - në fushë ose jashtë saj: largime nga fusha dhe provokime të tifozëve të palës kundërshtare si dhe ekscese me alkoolin, rrahje dhe vizita shtëpish publike. Gjithmonë me këtë rast mediat kujtonin të kaluarën e tij: bir i një boksieri amator të papunë dhe i një ndihmëskuzhiniereje, i rritur në lagjen problematike të Liverpulit, Croxteth.

Nga lojtari i papjekur sot nuk ka mbetur shumë. Shkaku për kthesën, dhe këtë e thotë vetë 24 vjeçari, gjendet në martesën e tij me të fejuarën prej shumë vitesh, Coleen dhe në lindjen e djalit, Kai Wayne në nëntor 2009.

Wayne Rooney
Wayne RooneyFotografi: AP

Ndërkohë, biri i punëtorëve është shndërruar në një futbollist të klasit botëror, me katër kontrata reklamash dhe me një pasuri prej rreth 40 milionë eurosh. Sportdashësit në Angli e duan atë: për shkak të së kaluarës së tij, të stilit të lojës dhe për dëshirën e tij të pamposhtur për të fituar. Prandaj Rooney është njeriu, tek i cili bazohen të gjitha shpresat për Kampionatin Botëror 2010 në Afrikë të Jugut. Meqenëse Anglia nuk u kualifikua për Kampionatin Evropian të Futbollit 2008, Rooney dhe kolegët e tij në ekip janë veçanërisht të motivuar për Kampionatin Botëror në Afrikë të Jugut.

Autor: Sarah Faupel/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama