1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vukovari, qyteti që kërkon frymëmarrje

Sinisha Bogdaniq / Esat Ahmeti10 Shtator 2013

Kroacia është përfshirë edhe në një debat të nxehtë mbi futjen e dygjuhësisë në Vukovar. Në të njëjtën kohë, në qytet askush nuk është i lumtur. Së bashku, por të ndarë në këtë qytet jetojnë kroatët dhe serbët.

https://p.dw.com/p/19edm
Pamje nga Vukovari
Fotografi: DW/S.Bogdanic

Emri i Vukovarit lë pak njerëz indiferentë në Kroaci. Vukovari simbolizon të gjitha vuajtjet dhe egërsinë e luftës, shkatërrimin e raporteve të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore dhe dekadat në kërkim të të vdekurve dhe ushtarëve e civilëve të zhdukur kroatë. Ky është një qytet që thënë ndryshe lufton për frymëmarrje, qytet në të cilin askush nuk e ndjen veten rehat. As kroatët e kthyer që kanë përjetuar tmerret e luftës e as serbët, të cilët megjithë deklarimet publike për përgjegjësinë individuale, heshturazi ngarkohen me faj kolektiv për krimet e luftës. Situata është rënduar tani nga futja e dygjuhësisë dhe mbishkrimet në alfabetin cirilik, të cilat ashtu siç pritej kundërshtohet nga kroatët lokalë dhe në të njëjtën kohë ka ndezur pasionet e rrymave të djathta politike, që haptazi thërrasin për shkatërrimin e koalicionit të majtë liberal qeverisës.

Kurrë nuk dihet se kush të dëgjon në Gjermani

Bar në Vukovar
Bar në VukovarFotografi: DW/S.Bogdanic

Në Vukovar, arritëm pak para orës dhjetë. Në sheshin qendror takojmë tre burra që diskutojnë për politikë. Ata na përshendesin me dashamirësi. Këtu, siç e kuptojmë më vonë, nuk është e pazakontë që mysafirët mirëpriten ngrohtësisht në rrugë. Në pamje të parë ky është ai qyteti idilik ku ju menjëherë dëshironi të jetoni. Asnjë skenë e tmerrshme që ne mbajmë mend nga koha e luftës. Vetëm aty-këtu mund të vëresh ndonjë rrënojë midis ndërtesave barok të restauruara dhe të bojatisura me lloj lloj ngjyrash. Në Vukovar, nuk mund të gjesh asnjë lloj grafiti me përmbajtje nacionaliste me të cilat është mbushur plot Zagrebi. Qyteti duket i zbutur dhe i urtë.

Shumë shpejt gjejmë vargun qendror të kafeneve prej të cilave më popullore tek të rinjët është "032". Në tarracë në sy na bie një shesh i vogël lojrash për fëmijët, një shenjë se në qytet po kthehet sërish jeta. Nga "Kafeneja e vogël" ngjitur dëgjohet muzika, një burrë qëndron në derë dhe këndon me zë të lartë. Bisedojmë rreth asaj se si jetohet tani në Vukovar. "Nga pensioni", përgjigjet një burrë nga një tavolinë tjetër dhe shpjegon shkurtimisht se qyteti nuk ka industri dhe të gjithë jetojnë nga pensionet dhe përfitimet e ndryshme sociale. Dhe prej asaj "kush si mund të gjendet."

Kafenetë mbushen pothuajse plot që në orën 10:30. Ne vendosëm të ecim në rrugën e ndërtuar anës Danubit në mënyrë që të diskutojmë me vendasit. "Bye, Bye" na përshendesin të rinjtë dhe një burrë i veshur me të zeza derisa filmojmë anijet në lumin që ndan dhe nuk bashkon Kroacinë me Serbinë. Burri me të zeza mban në kokë edhe një beretë të zezë me stemën kroate."Më falni, a keni një cigare", më pyet kalimthi. "Nuk pi duhan", i përgjigjem unë.

"Ndërtesë e bukur, por e lënë shkretë", shton një mesoburrë duke treguar me dorë nga një objekt që dikur ndoshta kishte qenë hotel. "Djema, ju me siguri jeni nga Zagrebi. Edhe unë kam jetuar dikur në Zagreb. Por jam kthyer prapë", vazhdon ai. E pyesim nëse do të ishte dakord për një intervistë me Deutsche Welle-n. Njëherë pranon, pastaj ndryshon mendjen sapo sheh regjistruesin. "Megjithatë, më mirë jo. Kurrë nuk i dihet se kush të dëgjon në Gjermani", thekson ai. As me bashkëbiseduesin tjetër nuk kishim shumë fat. Pasi i shtrojmë pyetjen, e pranojmë edhe vetë jo aq të këndshme rreth përkatësisë etnike, biseda ndalon. "Serb" shprehet pas pak. E pyesim se çfarë ka ndodhur në Vukovar. "Politikanët", thotë ai, na e kthen shpinën dhe largohet me biçikletë.

Interesa meskine në një qytet pa të ardhme?

Gra në një rrugë të Vukovarit
Zhgënjim dhe depresion - banorët e Vukovarit vuajnë nga situata e rënduar ekonomikeFotografi: DW/S.Bogdanic

"Si t'i gjejmë ato tabelat në alfabetin cirilik", kërkojmë ndihmën e një polici, i cili qëndron para ndërtesës për ndihmë sociale. "Është e lehtë! Atje ku po duket policia, aty është një tabelë. Dhe një tjetër është këtu. Por kjo e reflekton dritën më shumë. Ndoshta më e mirë për fotografim do të ishte tabela e zezë që ndodhet 200 metra më larg", na këshillon me mirësjellje polici.

"Ne nuk i urrejmë serbët", ishin fjalët e para të 50 vjeçarit Jakov. Ai thotë se problemi më i madh në Vukovar është se nuk ka punë dhe se të gjithë të rinjtë, përfshirë fëmijët e tij, janë duke u larguar nga qyteti. "Zhgënjim dhe depresion. Miku im Zllatko është në pension, ka të ardhura të sigurta dhe disi ia del deri në fund të muajit. Unë më shumë nuk punoj se punoj", ankohet ai. Këtu në Vukovar thonë se pas tërë asaj që ka ndodhur tani përjetojmë poshtërim të madh. "Alfabetin cirilik e shohim si një tallje ndaj popullit dhe provokim", shpjegon Jakov dhe konfirmon se ka ndarje në Vukovar. "Është e vërtetë se ka kafene kroate dhe serbe. Edhe shkollat janë të ndara", hyn në bisedë miku i Jakovit, Zllatko, një ish-ushtar kroat. Për të gjitha ai fajëson politikanët dhe historinë. "Unë nuk e di se cilët breza do të jetojnë në një bashkëjetesë të vërtetë. Unë kam qenë në luftë dhe e kam të vështirë të shoh gjëra të tilla. Ende jemi në kërkim të të vdekurve ndërkohë që gjithçka është kthyer në interesa meskine. Secila palë shikon interesin e vet kryesisht përmes koalicioneve të ndryshme", mendon Zllatko. "Partitë serbe e tematizojnë çështjen e alfabetit cirilik vetëm kur duan t'i tregojnë popullit se janë duke punuar diçka".

"Unë nuk kam qëndruar deri në fund të luftës në Vukovar, por unë i admiroj ata që kanë arritur ta bëjnë këtë. Ne kemi qenë të sulmuar. Para luftës në Vukovar nuk ka pasur atmosferë nacionaliste, as nuk kemi qenë të ndarë. Por më vonë e përjetuam urrejtjen", kujton ai vitet e luftës.

"Tani unë jam mirë dhe psiqikisht ndjehem mirë", vazhdon pensionisti Zllatko. "Shumë rëndë e kam përjetuar kur jam larguar dhe kur jam kthyer e kam gjetur qytetin në flakë. Nuk është problem të rindërtosh shtëpitë me tulla, është problem se njerëzit nuk ngjallen më. Tani politikanët na hedhin kripë në plagë". Të dy bashkëbiseduesit tanë theksojnë se alfabeti cirilik për serbët në Vukovar nuk ka paraqitur asgjë të rëndësishme as para luftës, e as sot. "Unë nuk e di se si do t'i ndihmojë alfabeti këta njerëz. Njerëzit kanë nevojë për punë e jo për cirilikë. Këtu është një luftë për mbijetesë dhe ushqim, alfabeti cirilik është gjëja e fundit. Ky është një truk i lig nga ana e politikanëve në të dyja anët", thotë Zllatko. Ai për provokimet e vogla që ndodhin në Vukovar, megjithatë, fajëson serbët dhe kroatët, të cilët vijnë nga qytete të tjera.

Inkubatori i urrejtjes

Vukovari - kantier ndërtimi
Vukovari - kantier ndërtimiFotografi: DW/S.Bogdanic

"Këtu kultivohet urrejtja! Si do të jetojë brezi i ri këtu?", flet me shqetësim serbja Radmilla të cilën e takojmë gjatë shëtitjes së pasdites. Pasi mendohet një kohë të gjatë ajo vendos të na thotë emrin. Thotë se ka studjuar dy vite në Beograd dhe pastaj ka jetuar 42 vite në Francë. Ajo sqaron se në Vukovar kthehet gjithmonë. "Dikur jeta këtu ka qenë shumë e bukur. Të gjithë e donin njëri-tjetrin. Ju thoni se çdo gjë këtu është e qetë dhe e butë, por unë mendoj se popullin e ka mbërthyer frika prandaj njerëzit frikësohen të flasin me ju. Tash kur kthehem në Francë marrë sërish frymë lirisht. Ne nuk e kemi barazinë dhe lirinë që e kemi pasur. Këtu serbët duhet të heshtin nga frika e hakmarrjes. Njerëzit janë të frikësuar nga njëri-tjetri. Fqinjët nuk flasin me njëri-tjetrin. Mbyllen në shtëpitë e tyre. A është kjo jetë? A duhet të jetë kështu? Për kë ndërtohet ky qytet nëse njerëzit nuk mund të jenë të lirë?", pyet Radmila.

Megjithatë, as ajo nuk e përjashton se situata katastrofike ekonomike dhe mungesa e vendeve të punës ndikon në rritjen e armiqësisë mes kombeve. "Burri im, kur kthehet i lodhur nga puna, nuk ka kohë për të menduar për këto gjëra", shton një grua e re më një fëmijë në krahë, e cila refuzon të flasë me emër, por ne supozojmë se është vajza e Radmillës. "Oh, më besoni, askujt nuk i intereson alfabetit cirilik. Edhe unë duhet të mendoj se si dhe çfarë shkruhet në alfabetin cirilik, edhe pse kam mësuar në shkollë. Na jepni paqe, liri dhe barazi", nënvizon Radmilla.

Nga Vukovari nisemi vonë pasdite për në Zagreb. I shohim sërish burrat që në mëngjes i takuam te "Kafeneja e Vogël". Ata kanë kaluar tani në lokalin fqinj "032". Por tani ata po bisedojnë me një ekip tjetër të gazetarëve, të cilët në Vukovar nuk mungojnë këto ditë.

Autor: Sinisha Bogdaniq / Esat Ahmeti