1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vriten gjatë këtij viti 66 gazetarë

22 Dhjetor 2011

Çmimi i lirisë së shtypit ishte shumë i lartë edhe gjatë vitit 2011. Lëvizjet e ndryshme për demokraci dhe liri kanë pasur edhe çmimin e vet, thuhet në raportin vjetor të organizatës "Reporterë pa Kufij".

https://p.dw.com/p/13Xk0
Logo Reporterë pa Kufijë
"Reporterë pa Kufijë"

"2011 ishte në shumë vende një vit i demonstratave dhe luftës për liri dhe demokraci. Pushtetmbajtësit në këto vende reaguan me dhunë brutale dhe sistematike. Jo vetëm kundër protestave, por edhe atyre që raportonin për protesta."

Michael Rediske, zëdhënës i seksionit gjerman të organizatës për të dretjat e njeriut "Reporterë pa Kufij" thotë se këto zhvillime kanë bërë që të shtohet numri i rasteve të dhunës ndaj gazetarëve në vitin 2011.

Deri tani gjatë këtij viti janë vrarë të paktën 66 gazetarë - ndërsa që gjatë vitit 2010 numri i gazetarëve të vrarë ishte 57. Gjatë vitit 2011 janë arrestuar 1044 gazetarë, shumë prej tyre gjatë ngjarjeve të "pranverës arabe" dhe si pasojë e këtyre zhvillimeve. Numri i të arrestuarve është dyfish më i lartë se vitin e kaluar. Edhe sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shtuar në 1959 raste, që është 43 % më shumë se një vit më parë.

Bilanci vjetor
Bilanci vjetor

Dhuna më së shumti aplikohet kundër gazetarëve vendorë, thuhet në raportin vjetor të organizatës "Reporterë pa Kufij". Kjo organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është themeluar në vitin 1985 në Francë. Qëllimi i saj është që të bëj publike dhe të sensibilizojë opinionin për fatin e gazetarëve.

Të prekura janë të gjitha rajonet

Arrestime, marrje në pyetje dhe përgjime ka pasur edhe gjatë demonstratave në Greqi, Bjellorusi, Ugandë... por edhe në SHBA, gjatë protestave në Wallstreet. Qeveritë përpiqen që të parandalojnë informacionet që nuk ju pëlqejnë dhe që nuk janë në favorin e tyre.

I ngarkuari për të drejtat e njeriut i qeverisë gjermane, Markus Löning, thotë se në raportin e "Reporterëve pa Kufij" në veçanti "tmerron fakti që gazetarët janë sulmuar, shtypur dhe keqtrajtuar edhe në vendet e afërta fqinje të Bashkimit Evropian, si në Azerbajxhan, Rusi, Bjellorusi apo në Turqi."

Shumë sulme ka pasur edhe ndaj autorëve në internet, blogerëve, në rrjetet sociale Facebook dhe Tëitter dhe autorë tjerë. Në shënjestër të autoriteteve ishin grupe të ndryshme, thuhet në raport. Pesë autorë që kanë shkruar në internet janë vrarë - tre prej tyre në Meksikë. 199 blogerë janë arrestuar, ndërsa 62 janë sulmuar fizikisht.

Cenzura

"Blogerët kanë luajtur në disa vende një rol qendror për informim", shpjegon Michael Rediske dhe shton: "ata kanë një rol të rëndësishëm në veçanti në vendet ku mediet konvencionale nuk janë në gjendje të raportojnë për zhvillimet dhe kur nuk lejohet futja në vend e gazetarëve ndërkombëtarë".

Cenzura ndaj mediave është shtuar nga 62 në 68 vende, krahasuar me një vit më parë.

Sulmet ndaj lirisë së shtypit janë një problem botëror. Për herë të parë organizata "Reporterë pa Kufij" ka hartuar edhe një listë të sulmeve në mbarë botën. Më së shumti të vrarë gjatë këtij viti ka pasur në Pakistan (10), Irak (7) si dhe Meksikë dhe Libi (nga 5).

Autor: Kay-Alexande Scholz/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica