Vrasja e Ivanoviqit të mos shfrytëzohet për axhenda politike | Ballkani | DW | 17.01.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vrasja e Ivanoviqit të mos shfrytëzohet për axhenda politike

Këshilli i Sigurisë së Kosovës thekson se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shprehet se dënohet çdo tendencë për ta shfrytëzuar politikisht vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës i kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka konstatuar se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme dhe se organet e rendit janë duke kryer me përgjegjësi detyrat e tyre në ruajtjen e qetësisë publike dhe të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit. Ky konstatim u bë nga organi më i lartë i sigurisë në vend, pas vrasjes një ditë më parë të liderit lokal serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Kërkohet ndihmë nga qytetarët

Këshilli i Sigurisë së Kosovës diskutoi mbrëmë deri vonë për situatën e sigurisë, me theks të posaçëm atë në veri të Kosovës. "Këshilli i Sigurisë së Kosovës thekson se autoritetet e sigurisë dhe ato të ndjekjes po zhvillojnë hetime intensive në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq dhe po hetojnë të gjitha pistat e mundshme. Organet e rendit kanë kërkuar nga të gjithë qytetarët, pa dallim, që të ofrojnë ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre në zbulimin e kapjen sa më të shpejt të kryesve të këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetimet pas vrasjes së zotit Ivanoviq, një ditë më parë ndërsa ka vlerësuar që në rast të nevojës për ndihmë dhe ekspertizë në ndriçimin e rastit mund të kërkohet ndihmë profesionale edhe nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, në veçanti nga FBI e SHBA-së. Kërkesë drejtuar autoriteteve të rendit në Kosovës për ta hetuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kanë kërkuar edhe autoritetet e Serbisë, por, një gjë e tillë tash për tash nuk iu është lejuar.

Akti kriminal nuk duhet të shfrytëzohet për axhenda politike

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se institucionet e Kosovës e dënojnë çdo tendencë që ky akt kriminal të shfrytëzohet për agjenda politike dhe të tjera nga kushdo qoftë. "Institucionet e Kosovës janë vërtetë në krye të detyrës, pra, policia. Policia e Kosovës po ashtu ka marrëdhënie të mira me plot organizata simotra. Sikur ne ta ndjejmë nevojën për ndihmesë në hetime, mund ta ftojmë FBI, që është shumë i besueshëm. Nuk i mirëpresim deklarimet e askujt për ndërhyrje në rend dhe ligj në veri. Mendojmë se edhe ky krim, por edhe zhvillime të caktuara kriminale që ndodhin në veri, janë po ashtu rezultat i përfshirjeve ilegale që ndodhin në veri nga instanca të tjera jashtë Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Makina nga u krye vrasja gjendet e djegur

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, nga ana e tij, ka thënë se në kuadër të hetimeve, policia deri tash ka informacione rreth makinës që është gjetur e djegur dhe besohet se është përdorur nga autorët e vrasjes së zotit Ivanoviq. "Kjo veturë ka qenë pa targa, por ne kemi arritur që të kemi informatat e nevojshme për prejardhjen e veturës dhe pronësinë e saj”, tha Shpend Maxhuni duke mos dhënë detaje të tjera që mund ta dëmtojnë procesin e hetimeve.

Vrasja e liderit lokal serb të veriut të Kosovës Oliver Ivanoviq, thelloi krizën e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Delegacioni serb në bisedimet në Bruksel, ndërpreu dialogun teknik të rinisur pas disa muajsh ndërprerje. Shefi i këtij delegacioni Marko Gjuriq, tha se dialogu me Prishtinën nuk do të vazhdojë siç tha” pa marrë një përgjigje rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit”. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh i habitur pse Beogradi ndërpreu "dialogun teknik” me Kosovën.