1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Votim për kushtetutën në kushte dhune

26 Shkurt 2012

Sirianët votojnë sot kushtetutën e re, megjithë luftimet. Opozita ka bërë thirrje për bojkotimin e saj, dhe e ka cilësuar votimin "një farsë."

https://p.dw.com/p/14A2d
Fotografi: REUTERS

Megjithë vazhdimin e dhunës kundër popullsisë civile, sirianët votojnë këtë të dielë për një kushtetutë të re. 14 milionë sirianë thirren nga regjimi i Asadit për të votuar ndryshimet kushtetuese. Nëse projektkushtetuta aprovohet atëherë brenda 90 ditësh do të mbahen zgjedhje parlamentare. Opozita refuzon projektkushtetutën sepse ajo nuk kufizon pushtetin e presidentit. Ajo e ka cilësuar votimin në kushtet e dhunës si një farsë dhe ka bërë thirje për bojkotim.

Të rejat e saj kanë të bëjnë kryesisht me pozicionin monopolist të qeverisë në pushtet, Partisë Baath dhe kufizimin e kohës së qëndrimit në pushtet të presidentit në dy herë nga shtatë vjet. Por për herë të parë lejohet krijimi i partive të reja. Opozita druhet se në të ardhmen vetëm grupimet e afërta me qeverinë mund të ngrenë parti.Në Damask të dielën ka pasur njerëz që shkonin në votime. Megjithatë dhuna në vend vazhdon. Brutalisht është vepruar në Homs, ku njoftohet se të dielën në mëngjes ka pasur hedhje granatash. Në gjithë vendin ditën e shtunë u vranë sipas të dhënave të aktivistëve sërish 100 vetë, prej tyre 24 vetëm në qytetin Homs.

Çfarë solli konferenca "Miqtë e Sirisë"?

Ndihmë humanitare dhe sanksione të ashpra kundër qeverisë së Bashar al-Assadit, por jo ndërhyrje ushtarake nga jashtë, njoftoi ministri i Jashtëm tunizian, Rafik Abdessalam, në Tunizi në përfundim të konferencës përkatëse.

Me gjithë unanimitetin e shprehur nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në deklaratën e tyre të përbashkët ajo, që Abdessalam dhe homologia e tij amerikane Hillary Clinton prezantuan si sukses të madh, për shumë shtete pjesëmarrëse nuk ishte i mjaftueshëm. Në kuadër të konferencës u vunë re disa pika mospajtimi brenda bashkësisë ndërkombëtare.

Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton e cilëson takimin si sukses
Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton e cilëson takimin si suksesFotografi: REUTERS

Sidomos çështja e një intervenimi ushtarak shkaktoi debate të nxehta. "Ne jemi kundër armatosjes së opozitës, por një trupë paqeruajtëse të Ligës Arabe do tö mund ta imagjinonim", tha për Deustche Wellen Adnen Mnasser, zëdhënës i presidentit tunizian. Por kjo duhet të mbetet një çështje e brendshme arabe dhe as shtetet fqinje të Sirisë nuk duhet të marrin pjesë në mision, për të penguar zgjerimin e konfliktit", theksoi ai. Edhe qeveria e Katarit është e hapur ndaj një zgjidhjeje të tillë. Vetëm Arabia Saudite bëri thirrje për armatosjen direkte të opozitës siriane nga jashtë.

Përfaqësuesit europianë u shprehën në Tunis më të rezervuar. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle tha se "qëllimi i qartë i konferencës është një zgjidhje politike." Por kjo është e mundur vetëm, në qoftë se regjimi i Assadit ndërpret dhunën. "Ditët e Assad-it janë të numëruara", tha Westerwelle. Homologu i tij francez Alain Juppé nuk do që të distancohet krejtësisht nga një zgjidhje ushtarake, si ajo që u propozua nga Tunizia, megjithatë kjo është e mundshme vetëm me një mandat të OKB-së.

Njohje me gjysëm zemre e këshillit kombëtar sirian

Presidenti tunizian Moncef Marzouki kërkoi një zgjidhje jemenite për konfliktin në Siri: imunitet dhe mërgim në Rusi për Asadin dhe udhëheqjen siriane. Kjo do t'i mundësonte presidentit sirian një tërheqje të rregullt dhe pa humbur deri në fund dinjitetin. Në të njëjtën kohë me këtë veprim mund të merrej përsëri në bord bashkësia ndërkombëtare. Moska, ashtu si dhe Pekini e kishte anulluar pjesëmarrjen në konferencë. Kështu në Tunis munguan dy mbështetësit më të rëndësishëm të Sirisë.

Aleatë? Ministri i Jashtëm rus Lavrov dhe presidenti sirian Assad
Aleatë? Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe presidenti sirian AssadFotografi: AP

Për këshillin nacional sirian konferenca e miqve të Sirisë nuk solli miratimin, që ai kishte pritur. Edhe pse grupi i sapokrijuar i kontaktit për Sirinë deklaroi njëzëri se këshilli kombëtar është përfaqësues legjitim i popullit sirian, por jo i vetmi. "Që këshilli kombëtar ka folur këtu, është një sinjal i rëndësishëm i mbështetjes, por edhe një sinjal për opozitën, që të bashkohet", deklaroi Guido Westerwelle dhe la me kujdes të kuptohet se për atë, si dhe për shumë përfaqësues evropianë, pakicat fetare si të krishterët dhe drusët nuk janë të përfaqësuar sa duhet në këshillin kombëtar.

Konferencë me karakter simbolik

Abdullah Tourkmani, përfaqësues i këshillit kombëtar sirian në Tunizi, deklaroi për DW, se këshilli kombëtar përfaqëson të gjitha grupet e popullsisë siriane. "Ne si përfaqësues të popullit sirian përfaqësojmë vetëm një zgjidhje të përkohshme dhe kemi si synim zgjedhjet demokratike, me qëllim që sirianët vetë të mund të vendosin, kush do të përfaqësojë interesat e tyre."

Demonstrues kundër përzierjes nga jashtë në Siri
Demonstrues kundër përzierjes nga jashtë në SiriFotografi: Sarah Mersch / DW

Mbajtja e kësaj konference në Tunizi, ku para afro një viti filluan revoltat në botën arabe, ka në rradhë të parë karakter simbolik. Kjo tregon se bashkësia ndërkombëtare ka interes të tërheqë sa më shumë shtete arabe në anën e saj. Sepse ndërkohë ata e shohin se në botën arabe qëndrojnë para akuzës, se po e kthejnë në një Irak të dytë Sirinë, që ndodhet para një lufte civile. "Ne nuk duhet të harrojmë, se çfarë ka ndodhur aty dhe prandaj duhet të gjejmë një zgjidhje paqësore", tha zëdhënësi i presidentit tunizian, Adnen Mnasser, ndërsa para ndërtesës së konferencës demonstronin disa qindra tunizianë dhe sirianë së bashku kundër ndërhyrjes së huaj. Ata akuzuan veçanërisht SHBA dhe shtetet e Gjirit se ndjekin në rajon kryesisht interesat e tyre gjeopolitike. Tunizia mbështet synimet e tyre, duke organizuar konferencën për Sirinë. Demonstrata u shpërnda me dhunë nga policia tuniziane, kur demonstruesit depërtuan në territorin, ku mbahej konferenca.

Autorin: Sarah Mersch/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi