1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Votim nën dhunën e armëve në Ukrainën lindore

PP (dpa, Reuters, DW)11 Maj 2014

E paqartë është nëse separatistët synojnë një shkëputje të zonës Doneck/Luhansk nga Ukraina dhe bashkimin e saj me Federatën Ruse, apo thjesht më shumë autonomi.

https://p.dw.com/p/1BxmD
Fotografi: Reuters

Në Ukrainën lindore po zhvillohet sot i ashtuquajturi referendum i iniciuar nga separatistët prorusë, në të cilën qytetarët do të vendosin mbi të ardhmen e rajoneve Doneck dhe Luhansk. Në të ashtuquajturin referendum shtohet pyetja nëse qytetarët e mbështesin "Republikën Popullore Doneck/Luhansk". Të vetëquajturat "republika popullore" në Doneck dhe Luhansk u shpallën në prill 2014 nga aktivistë deri në atë moment të panjohur dhe të armatosur rëndë. Më parë ata kishin pushtuar ndërtesa të administratës si këshilla qytetesh apo stacione policie. Përfaqësuesit e këtyre grupeve nuk janë të legjitimuar në mënyrë demokratike në zgjedhje.

E paqartë është nëse separatistët synojnë edhe një shkëputje të mundshme të kësaj zone nga Ukraina dhe bashkimin e saj me Federatën Ruse, apo thjesht më shumë autonomi.

Ost Ukraine Referendum 11.5.2014
Fotografi: Reuters

Qeveria ukrainase dhe Perëndimi s'e njohin "referendumin"

Pak para fillimit të votimit presidenti provizor i Ukrainës Aleksander Turshinov paralajmëroi para një ndarje të vendit. Për rajonet e Donetsk dhe Luhansk një votë pro do të jetë "një hap rejt humnerës" tha presidenti ukrainas.

Legjislacioni i Ukrainës nuk parasheh asnjë lloj referendumi rajonal. I mundur është vetëm një "referendum" mbarë ukrainas, në të cilin të kenë të drejtë të votojnë të gjithë qytetarët me të drejtë vote në vendin me 45 milionë banorë. Një referendum për ndryshimin e territorit shtetëror të Ukrainës mund të vendoset vetëm nga Parlamenti në Kiev.

Edhe Perëndimi e konsideron këtë referendum si të paligjshëm dhe e refuzon atë. Po ashtu ekziston edhe frika se Ukraina mund të përfshihet më pas në kaos dhe nuk do të mund të organizohen zgjedhjet presidenciale të planifikuara për më 25 maj.

Ost Ukraine Referendum 11.5.2014
Fotografi: Reuters

Nën dhunën e armëve dhe pa vëzhgues të pavarur

"Referendumi“ zhvillohet në sfondin e pranisë masive të njerëzve të armatosur. Paraqitja e tyre luftarake mund të ketë efekt frikësues tek popullsia.

Për mbikqyrjen e "referendumit" nuk do të shkojë asnjë vëzhgues i pavarur. As Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe as Këshilli i Evropës nuk dërgojnë përfaqësues. Edhe Rusia nuk do dërgojë asnjë mision zyrtar vëzhguesish. Presidenti rus Vladimir Putin kishte rekomanduar që i ashtuquajturi referendum të shtyhej.

Referendumi përfundon në orën 21:00 sipas orës së Evropës Qendrore.