1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Volkswageni dyshohet si dora e djathtë e diktaturës ushtarake në Brazil

Skandalet e Volkswagenit nuk po marrin fund, Gjatë diktaturës ushtarake në Brazil, VW ka marrë me sa duket pjesë aktive në persekutimin e kundërshtarëve të regjimit.

Akuza nuk është e re - por vjen përsëri në qendër të vëmendjes pas hulumtimeve të mediave gjermane NDR, SWR dhe "Süddeutsche Zeitung" (SZ). Sipas tyre koncerni më i madh automobilistik gjerman Volkswagen ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në persekutimin politik dhe shtypjen e kundërshtarëve të regjimit,  gjatë periudhës së diktaturës ushtarake braziliane  (1964-1985).
"Volkswagen do Brasil" ka spiunuar asokohe punonjësit e vet për pikëpamjet e tyre politike njoftojnë NDR, SWR dhe SZ. Këto informacione në lidhje me opozitarët i janë përcjellë policisë politike.

Një nga nënsektorët përgjegjës për sigurinë në territorin e uzinave të Volkswagen-it në Sao Bernardo do Campo u shndërrua në një shërbim sekret që spiunonte personelin, shkruan gazeta SZ.  Pas denoncimeve punonjës të Volkswagen-it janë arrestuar nga policia politike në sallat e fabrikave të ndërmarrjes.

Volkswagen-i nuk shprehet

Sipas mediave koncerni Volkswagen nuk dëshiron për momentin që të shprehet lidhur me akuzat. Koncerni ka porositur një ekspertizë në lidhje me rolin e tij gjatë diktaturës ushtarake në Brazil dhe ka ngarkuar me përpilimin e saj historianin Christopher Kopper. Rezultatet e ekspertizës duhet të jenë në dispozicion deri në fund të vitit. Historiani Kopper tha për mediat SZ, NDR dhe SWR se mes ekipit të sigurisë të "VW do Brasil" dhe policisë ka pasur bashkëpunim të rregullt dhe se koncerni Volkswagen ka "lejuar që të bëhen arrestime."
Ish-punonjës të Volkswagen-it në Brazil e kanë akuzuar koncernin që në vitin 2015, se gjatë diktaturës ushtarake (1964 deri 1985) ka lejuar persekutimin dhe torturimin e kundërshtarëve të regjimit. Ndër të tjera, Volkswagen-i kishte pranuar që shumë punëtorë të një fabrike të tij të arrestoheshin dhe torturoheshin. Punonjësit e administratës së Volkswagen-it kishin përpiluar edhe "lista të zeza" të kundërshtarëve politikë.

Werbung VW Fusca in Brasilien 1993

Autovetura Volkswagen Fusca, mjaft e preferuar prej brazilianëve.


Sipas prokurorisë braziliane, sektori përgjegjës për sigurinë e uzinave "ka vepruar sikur të ishte krah i zgjatur i policisë politike brenda koncernit."

Edhe qeveria gjermane ka qenö nö dijeni

Sipas mediave në dijeni për qëndrimin e Volkswagenit ka pasur edhe qeveria gjermane. Në vitin 1976 një deputet gjerman kishte kërkuar nga Ministria e Jashtme sqarime në lidhje me arrestimet masive në territorin e uzinave të koncernit Volkswagen në Brazil. Po ashtu edhe ish-kancelari Helmut Schmidt është informuar për arrestimet dhe gjendjen në uzinat e koncernit Volkswagen në Brazil prej drejtuesit të sindikatave dhe më pas presidentit brazilian Luiz Inacio Lula da Silva.

Koncerni Volkswagen ka qenë aktiv në Brazil që në fillim të viteve pesëdhjetë. Gjatë dhjetë vjetëve të para të diktaturës ushtarake, vëllimi i prodhimit u rrit me shifra të jashtëzakonme. Sidomos autovetura Volkswagen Fusca, ishte mjaft e preferuar prej brazilianëve.