VMRO-DPMNE dhe BDI fituese të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni
6 Qershor 2011Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Boris Kondarko në konferencën e shtypit të mbajtur pas mesnate ka publikuar rezultatet e para paraprake nga zgjedhjet e 5 qershorit.
" Në nivel republikan jehona e daljes së qytetarëve në votime ka arritur në 63.30 % , ndërsa KSHZ deri më tani ka përpunuar 86.19% të rezultateve
Sipas këtyre rezultateve Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar 39.44% të votave, LSDM 32.69%, ndërsa te blloku politik shqiptar BDI ka fituar 10.41% të votave dhe PDSH 5.41% të votave.
Pas shpalljes së rezultateve preliminare kanë reaguar subjektet kryesore plitike. Kryetari i VMRO-DPMNE-s Nikolla Gruevski e ka vlerësuar 5 qershorin si festë të demokracisë në Maqedoni. Zgjedhjet pa incidente, korrekte dhe demokratike do të jenë model i Maqedonisë në të ardhmen, ka thënë Gruevski.
Kryetarja e Socialdemokratëve, Radmilla Shekerinska ka pranuar humbjen dhe njëherit ia ka uruar fitoren Gruevskit.
" Rezultati që është arritur në këto zgjedhje do të na mundësojë që në muajt dhe vitet e ardhëshme, në Parlament të jemi edhe më guximtarë dhe të jemi një opozitë e fortë, e cila do të jetë korigjues i denjë i pozitës"
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti vlerëson se fitues në zgjedhjet e 5 qershorit është mbarë populli shqiptar në Maqedoni.Sipas tij fitorja u dedikohet gjithë shqiptarëve të Maqedonisë.
"A keni parë ndonjëherë zgjedhje më të lira, më demokratike , pa presion, pa frikë. Fitorja më e madhe është që shqiptarët lirshëm kanë votuar dhe këtë liri e kanë siguruar bitë dhe bijat e BDI-së,"
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi për herë të parë në historinë e pluralizmit në kampin politik shqiptar në Maqedoni ka pranuar publikisht rezultatet dhe humbjen e partisë së tij.
"Sinqerisht ia uroj fitoren BDI-së dhe mendoj se ata tani së bashku me partnerin e vetë do të jenë ata që do ta bëjnë apokalipsën e këtij shteti", është shprehur kryetari i opozitës shqiptare, Menduh Thaçi.
Vlerësime pozitive për procesin e votimit në Maqedoni kanë dhënë edhe ambasadori i SHBA-ve, Filip Riker dhe ai i BE-së, Piter Sorensen.
Autor: Fatos Musliu/Shkup
Redaktoi: Auron Dodi