1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vjedhje e refugjatëve në Danimarkë?

Danimarka përkundër reagimit të zemëruar ndërkombëtar vazhdon me planet që refugjatët të mbulojnë shpenzimet. Ata duhet të dorëzojnë gjëra me vlerë para se të marrin strehim apo ndihma sociale.

Letra që mbërriti në tavolinën e ministres së Integrimit të Danimarkës, Inger Stojberg kishte brenda një unazë, një trashëgim familjar i autorit Christian Mork, i cili shkruante: "Stërgjyshi im erdhi nga Rusia në Danimarkë në vitin 1860. Me sa di unë, stërgjyshes atëherë nuk iu kërkua të dorëzojë gjërat me vlerë kur arriti kufirin danez, e duke menduar për ata që do ta vuajnë këtë përvojë poshtëruese, po ua dërgoj tani unazën e saj."

Marku postoi letrën me një fotografi në Facebook. Brenda pak minutash u ndez debati që tregoi edhe njëherë ndarjen në shoqëri lidhur me propozimin e qeverisë për të kërkuar që emigrantët të mbulojnë një pjesë të shpenzimeve të qëndrimit të tyre në Danimarkë. "Çfarë letre idiote. Kur njerëzit vinin këtu në vitin 1860 ata nuk merrnin para në dorë, as shkollim dhe as shëndetësi falas. Ata duhej të punonin për veten. Nuk mund të krahasohen të dyja situatat", shkruan Kirsten Marie Waade.

Ndërsa një përkrahëse e veprimit të autorit Lis Greve kundërshton. "Është e turpshme që emigrantët dhe refugjatët duhet të dorëzojnë çfarë kanë në çantë, para apo gjëra me vlerë. Të kujton kohën kur hebrenjve iu rrëmbyen pasuritë nga nazistët. Ky është drejtimi ku do të shkojë Danimarka?"

Deutschland Dänemark Grenze Flüchtlinge aus Syrien

Refugjatë duke pritur të shkojnë në Danimarkë

Vjedhje sistematike?

Masat që disa i krahasojnë me veprimet naziste kundër hebrenjve dhe që kanë si synim të ndalin refugjatët të vijnë në Danimarkë, janë parashikuar të miratohen nga parlamenti danez të martën (26.01.) Politikanët danezë nuk kanë ndërruar pozicion megjithë kritikat e e ashpra. Ministrja Stojberg, një nga përkrahëset e vijës së ashpër në çështjet e integrimit dhe migrantëve nuk është penduar.

Ajo shkroi në Facebook. "E di që disa media ndërkombëtare hedhin shigjeta kundër faktit që Danimarka në të ardhmen do të kërkojë sende me vlerë nga refugjatët që ata të paguajnë qëndrimin e tyre në qendrat e azilit. Këto kritika nuk janë të bazuara, sepse ligji danez për ndihmat sociale parashikon që individët që posedojnë gjëra me vlerë më shumë se 10.000 krone daneze (rreth 1340 euro) mund të detyrohen t'i shesin ato para se të marrin ndihmat sociale. Ky është parim në Danimarkë. Kush mund të sigurojë vetë të ardhurat për veten, duhet ta bëjë këtë. Ai aplikohet tek ata që jetojnë këtu, dhe do të aplikohet tani edhe për ata që sapo kanë mbërritur."

Por drafti i parë i këtij ligji të konstetuar ishte shumë më i ashpër se varianti që do t'i paraqitet parlamentit. Fillimisht ishte parashikuar marrja e gjërave me vlerë që në kufirin e 3.000 kroneve daneze.

Presioni publik

Megjithatë rritja e presionit publik e detyroi qeverinë të zbusë masat. Kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen e quan një "masë tepër të keqkuptuar." Autoritetet daneze mund të kontrollojnë gjërat me vlerë të refugjatëve dhe të marrin ato përtej vlerës së 10.000 kroneve, por bizhuteritë janë të përjashtuara nga kjo masë."

Inger Stojberg

Ministrja Inger Stojberg

Ministri i Jashtëm danez, Kristian Jensen u thirr në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë për të shpjeguar politikën daneze. UNHCR ka paralajmëruar se kjo masë rrit frikën dhe ksenofobinë, ndërsa Amnesty International e ka dënuar atë si një "praktikë diskriminuese" për refugjatët që ndërkohë janë të traumatizuar nga lufta.

Por mbledhja e sendeve me vlerë është njëra anë e masave të qeverisë daneze të minorancës së qendrës me të djathtët. Në qendër të debatit është edhe ribashkimi i familjeve. Koha e pritjes së anëtarëve të familjes për njerëzit, të cilëve u është njohur azili do të zgjatet nga një në tre vjet, një rregullore e re që sipas ekspertëve thyen rregullat e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ministrja Stojberg është e përgatitur për pasojat. "Jemi në kufirin e konventave ndërkombëtare me këtë hap", thotë ajo duke theksuar se "politika daneze e imigrimit vendoset në Danimarkë dhe jo në Bruksel." Vetë autori Christian Mork e hoqi pas disa orësh postimin nga facebook. "Isha naiv" shkroi ai. "Dhe i papërgatitur për urrejtjen dhe zemërimin që do të shpërthente me letrën drejtuar ministres, por shpresoj se ia kam dalë të përcjell atë që kam dashur të them."