1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Griechenland Sparpaket Abstimmung

30 Qershor 2011

Parlamenti grek miratoi dje (29.06.) masa të tjera kursimi drastike. Por, vetëm masat e kursimit, rritjet e taksave dhe privatizimet nuk mjaftojnë.

https://p.dw.com/p/11mKf

Dita, në të cilën parlamenti grek do të vendoste për paketën e gjerë të kursimit për vitet 2012 deri 2015, u tha shpesh se ka rëndësinë e një dite vendimtare për Greqinë dhe për eurozonën, në mos edhe për ekonominë botërore. Frikëra dhe skenarë tmerri të madh u lidhën me një falimentim të mundshëm të Greqisë që në mes të korrikut. Fantazitë më të avancuara arrinin madje deri në një krizë financiare, të ngjashme me të parën, që në shtator 2008 shkaktoi falimentimin e bankës amerikane Lehman Brothers.

Tani parlamenti grek miratoi me një shumicë të ngushtë ligjin kornizë për programin voluminoz të kursimit. Sot (30.06.) vazhdohet me miratimin e masave konkrete. E gjithë paketa parashikon kursime dhe rritje taksash prej 28 miliardë eurosh për vitet që vinë. Kësaj i shtohet një program kursimesh ambicioz, i cili synohet të sjellë 50 miliardë euro në arkat e shtetit. A konsiderohet Greqia tani e shpëtuar dhe fundi i eurozonës i shmangur? Kurrsesi.

Greqia arrin njëherë vetëm një pushim sa për të marrë frymë dhe siguron këstin tjetër të domosdoshëm të ndihmave financiare të Bashkimit Evropian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), për të cilat është rënë dakord. Zbatimi i programit të parë të kursimit dhe i të dytit të miratuar dje (29.06.) mbikqyret rreptë prej huadhënësve ndërkombëtarë. E ashtuquajtura trojkë, e përbërë prej përfaqësuesve të Komisionit Evropian, të Bankës Qendrore Evropiane dhe FMN-së, ka konstatuar tashmë shmangie të konsiderueshme në zbatimin e programit të parë të kursimit.

Autoritetet shtetërore në Greqi nuk janë të përgatitura siç duhet për zbatimin e masave dhe përballen me pakënaqësinë në rritje të popullsisë. Madje vetë qeveria ka pranuar zyrtarisht, se masat e kursimit janë shpesh të padrejta, por të domosdoshme. Një pranim i sinqertë i së vërtetës, i cili sidoqoftë nuk e nxit shkallën e pranimit të masave të vjetra dhe të reja. Greqisë i duhet urgjentisht një sistem i besueshëm i mbledhjes së taksave dhe një komision i pavarur për programin e privatizimeve. Dhe Greqisë i duhet një minimum konsensusi politik, në mos rithemelimi i shtetit i premtuar shpesh, por ende i parealizuar.

Jo më pak pritet prej BE-së dhe eurozonës. Duket sikur këto ditë po fiton bindja se në planin afatgjatë zgjidhja nuk janë paketat e kursimit, as për Greqinë e as për krejt harkun jugor të rrezikuar të eurozonës. Vazhdimisht evokohet një plan i vogël Marshall për Athinën, një plan i cili në rastin ideal do të nxiste ekonomitë e dobëta të jugut (të Evropës) dhe do të siguronte produktivitet afatgjatë. Vetëm kështu mund të ndreqet gabimi në lindje i eurozonës, futja e ngushtuar tok e politikave dhe rendeve ekonomike nga më të ndryshmet në një monedhë të përbashkët. Më në fund Gjermania duhet të marrë rol udhëheqës në këtë çështje, si përfituesi më i madh i erës së euros. Për këto përmasa nuk mund të presësh zgjidhje nga Athina, Lisbona ose Dublini.

Autor: Spiros Moskovou

Redaktoi: Auron Dodi