Vetëdigjet një viktimë e ish-regjimit komunist në Shqipëri
8 Tetor 2012Gjergj Ndreca 53 vjeç, ndërmori këtë veprim fatal për të tërhequr vëmendjen e shtetit shqiptar për të dëmshpërblyer sa më shpejt viktimat e regjimit komunist. Prej 17 ditësh, së bashku me 19 ish të burgosur politikë, ai ka nisur një grevë urie në një nga rrugët kryesore të Tiranës. Ata kërkojnë që qeveria të paguajë për viktimat e regjimit komunist 20 mijë lek të vjetra, për çdo ditë burgimi. Ende nuk është e qartë se çfarë dëmesh ka pësuar Ndreca, por bëhet e ditur se ai është jashtë rrezikut për jetën.
Ai ka kaluar gjashtë vite të jetës së tij në burg për veprimtari anti-komuniste. Rreth 100 mijë shqiptarë u ekzekutuan, burgosën ose u dërguan në punë të detyruar nga regjimi komunist mes viteve 1945 -1990. Menjëherë pas kësaj ngjarje, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qëndra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut dhe Qëndra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare, që ta vlerësojë me seriozitet këtë gjëndje të rëndë dhe të paprecedent dhe të gjejë sa më shpejt mundësinë e takimit me grevistët.