Veriu, rendi dhe përgjegjësia qytetare - Sfidat e 2009-s për Kosovën
6 Janar 2009Tensionet e vazhdueshme në veriun e Kosovës dhe mungesa e rendit dhe ligjit në këtë rajon do të jenë sfidat për vitin 2009. Kështu janë shprehur autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendase në Kosovë. Shefi i UNMIK-ut, Zanieri (Lamberto Zannieri), thotë se qytetarët e Kosovës duhet të tregojnë përgjegjësi kolektive si e vetmja rrugë e zgjidhjes së problemeve. Zanieri: "Qytetarët duhet të tregojnë dhe ta zbatojnë ndjenjën e përgjegjësisë drejt gjetjes së rrugëve për zgjidhje. Disa çështje të ndjeshme siç është për shembull veriu, nuk mund të zgjidhen brenda natës".
Edhe udhëheqësit politikë kosovarë kanë mbështetur këtë qëndrim. Për ta sfidë gjatë vitit 2009 do të jetë vendosja e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Kosovës. Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës: "Çdo vend në ndërtim e sipër të shtetit të vet ka për synim vendosjen e rendit dhe ligjit dhe ruajtjen e tërësisë teritoriale. Sfidë do të jetë edhe përpjekja për njohjen e Kosovës nga vendet e ndryshme të botës. Sfidë do të jetë edhe mirëqenia qytetare dhe zhvillimi ekonomik i vendit."
Se rendi dhe ligji duhet të funksionojë në gjithë Kosovën, janë të mendimit edhe përfaqësuesit serbë, por për ta më e rëndësishme është që udhëheqja në Beograd dhe Prishtinë të jetë e përgjegjshme ndaj qytetarëve.
Rada Trajkoviç, nënkryetare e Këshillit Kombëtar serb për Kosovën qendrore: "Unë do të thoja që udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë duhet të jetë të përgjegjshëm ndaj qytetarëve të rëndomtë që janë të përvuajtur, pavarësisht se cilës përkatësie etnie i përkasin. Sfidat, me të cilat në vitin 2009 do të përballet i gjithë rajoni janë sfidat ekonomike, sepse ky rajon është i lodhur nga luftërat. Mendoj se njerëzit e përgjegjshëm duhet të ngrihen mbi disa realitete të hidhura që kanë qenë në të kaluarën. Në këtë mes serbët dhe shqiptarët duhet përfundimisht t'ia zgjatin dorën njëri tjetrit dhe të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët".
Problemet e shumta në vitin e parë të Kosovës së pavarur nuk do të jenë të lehta për t'u zgjidhur. Krahas çështjes së veriut të Mitrovicës, Kosova do të përballet edhe me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila do të shqyrtojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, që kontestohet nga Serbia.