1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendet e Ballkanit Perëndimor angazhime për sigurinë e lëvizjes pa viza

Arben Muka / Tiranë6 Nëntor 2012

Ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë të pesë vendeve të Ballkanit, diskutuan në Tiranë mbi shqetësimet ndër disa vende të zonës Shengen pas rritjes së kërkesave të padrejta për azil.

https://p.dw.com/p/16ddh
Komisionerja e BE-së për Çështjen e Brëndshme, Malmström
Fotografi: DW

Pas kritikave që vijnë nga disa shtete anëtare të BE-së për abuzime me udhëtimin pa viza nëpër hapësirën Shengen nga ana e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, zyrtarët nga rajoni u angazhuan për më shumë bashkëveprim në përmirësimin e situatës. Gjatë punimeve të Forumit dyditor Ministerial BE - Ballkani Perëndimor, që përfundoi të martën (06.11.) në mesditë në Tiranë, veç ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë nga vendet e rajonit ishte e pranishme dhe Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmström.

Në një kohë kur është hedhur ideja se Parlamenti Europian, përballë rritjes së fluksit të kërkesave për azil nga qytetarët e vendeve të rajonit, pritet që të diskutojë mbi mundësinë e miratimit të së ashtuquajturës “klauzolë për pezullimin e lëvizjes së lirë në zonën Shengen”, nga autoritetet e vendeve ballkanike pati një reagim të përbashkët në favor të sigurisë për lëvizjen e lirë.

Në bazë të një deklarate që u miratua nga ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë të Ballkanit Perëndimor shprehej angazhimi se ato do të rrisin bashkëpunimin e mëtejshëm operacional dhe shkëmbimin e informacionit me autoritetet përkatëse të vendeve anëtare të BE-së, të Komisionit Europian, dhe sipas nevojës edhe me FRONTEX dhe EUROPOL në fushën e menaxhimit të kufirit, migrimit të parregullt, azilit dhe ripranimit në përputhje me legjislacionin.

Sipas deklaratës që u miratua në punimet e Forumit të Tiranës, pritet që të fillojnë hetime efektive ndaj personave apo grupimeve që stimulojnë migrimin e parregullt, si dhe do ndiqen penalisht ata që mundësojnë abuzimin e regjimit pa viza, ndërkohë që autoritetet e vendeve të rajonit në përputhje të plotë me të drejtat themelore të qytetarëve do të forcojnë kontrollet kufitare.

Vendet e rajonit do të intensifikojnë dhe fushatat ndërgjegjësuese për informimin e mëtejshëm të qytetarëve mbi të drejtat, por dhe përgjegjësitë në rastet e abuzimeve në lëvizjen pa viza në zonën Schengen të BE-së etj.

Ministeriali BE - Ballkani Perëndimor diskutoi dhe mbi rrugët e kooperimit rajonal për të rritur përpjekjet në luftën kundër trafikimit të paligjshëm dhe mbledhjes së armëve të zjarrit, pjesëve të tyre dhe komponentëve kryesore dhe municioneve.

Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme znj. Cecilia Malmström u shpreh se agjencitë e zbatimit të ligjit duhen forcuar në vendet e rajonit.

“Kapacitet e tyre duhen forcuar për një luftë më efikase kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit transanacional, duke përfshirë këtu edhe hetimet financiare. Përpjekje duhen bërë për konfiskimin e aseteve kriminale. Korrupsioni është mjaft i përhapur dhe mbetet shqetësues. Ai pengon hetimin dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe lejon infiltrimin e grupeve kriminale në sektorin publik dhe privat. Të ketë dënime më të ashpra kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”