1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vdiq Norman Wisdom - "Pitkini"

Wisdom-i u bë i famshëm me rolin e njeriut që e nënvleftësojnë, por që arrin të triumfojë. Adhurimi për të në Shqipëri nga agjenti i Wisdomit krahasohet me dalldinë që shkaktuan Bitëllsat në botë.

Norman Wisdom në vitin 1965

Norman Wisdom në vitin 1965

Vdiq në moshën 95 vjeçare aktori humorist britanik, Norman Wisdom, i njohur edhe si Pitkini.

Wisdom-i u bë i famshëm me filmat e tij humoristikë në vitet 1950-1960, ku luante rolin e njeriut të cilin nuk e marrin seriozisht dhe të përçmuar nga shoqëri, por që në fund triumfon përballë kundërshtarëve. Charlie Chaplini e ka quajtur Wisdomin kllounin e tij të preferuar. Në Britani ai konsiderohet "një nga personazhet më të qendrueshme të komedisë britanike" (BBC).

Citohet fama në Shqipëri

Shumë agjenci perëndimore lajmesh citojnë krahas njoftimit se Wisdom ndërroi jetë i qetë në Isle of Man, edhe faktin se fama e tij arriti deri në Shqipëri. Ai u kthye në një figurë kulti në Shqipërinë komuniste shkruajnë agjencitë Rojter dhe AFP, ku filmat e tij qenë ndër të paktët prodhime kulturore të Perëndimit, që lejoheshin të shfaqen në televizor. Norman Wisdomi e vizitoi Shqipërinë në vitin 1995, pas rënies së komunizmit. Agjenti i tij për 30 vjet, Johnny Mans e kujton këtë vizitë në Shqipëri:

"Ishte e krahasueshme me dalldinë për Bitëllsat adhurimi për të në Shqipëri", thotë ai. "Edhe burrat i afroheshin dhe e puthnin."

Ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Zef Mazi u shpreh me këtë rast:

"Ai ishte shumë i njohur për këdo, që nga më të rinjtë e deri më të vjetrit dhe na bënte të qeshnim në një kohë, në kohën e komunizmit, ku nuk kishte shumë gjëra për të qeshur."

"Njeriu ka pak nevojë për humor fëmije"

Sir Norman Wisdom, 2005

Sir Norman Wisdom, 2005

Wisdomi edhe kërcente, këndonte dhe luante vegla muzikore, por qe komedia, me të cilën ai fitoi zemrat e miliona vetëve.

"Komedia ime është për fëmijë nga mosha tre në 93 vjeç. Njeriu ka nevojë për një lloj humori pak si fëmija dhe nëse nuk e ka këtë aftësi, është shumë keq", tha njëherë ai.

Pas një fëmijërie të varfër në Londër, Wisdom u fut në ushtrinë britanike si djalë i ri. Për herë të parë ai pati mundësinë të ushqehej aty si duhet dhe të zhvillonte talentin e tij për të zbavitur të tjerët. Nga ushtria ai u largua në vitin 1946, duke e filluar karrierën profesioniste si humorist në moshën 31 vjeçare. Ngjitja e tij dhe kthimi në një nga artistët më të njohur britanikë qe shumë e shpejtë. Karrierën artistike e ai përfundoi zyrtarisht kur mbushi 90 vjeç.

Ai luajti 19 filma televizivë dhe një sërë komedish televizive. Mbretëresha Elisabeth II i dha atij titullin "sir". Filmat e tij përfshijnë "Probleme në dyqan" (Trouble in the store), për të cilin ai mori një çmim BAFTA dhe në vitin 1966 ai u propozua për Çmimin Tony (Tony Award) për rolin e tij në komedinë muzikore "Eci i lumtur" ("Walking happy")

Autor: Auron Dodi/ rtr/afpe

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 05.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PVpk
  • Data 05.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PVpk