1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vdekja e papritur nga ajri

Sulmet me drone vrasin terroristë, të dyshuar por edhe njerëz të pafajshëm pa asnjë proces. Sulmet kryhen nga baza ushtarake e Ramshtajnit në Gjermani. Për herë të parë të mbijetuarit po dëgjohen para gjykatës.

US-Drohne

Drone e SHBA e tipit RQ-1 Predator

Faisal bin Ali Jaber nuk do ta harrojë kurrë mbrëmjen e 29 Gushtit 2012. Ai po festonte me farefisninë në një dasmë në Kashamir, një fshat në Lindje të Jemenit, kur ata u goditën nga pesë raketa të lëshuara nga dronet amerikane. Ndërsa inxhinieri Faisal bin Ali Jaber i mbijeton goditjes, nipi Valid dhe kunati Salim vriten. Këto viktima të pafajshme janë dëme kolaterale të "luftës kundër terrorit". SHBA asnjëherë nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e dy viktimave jemenitase. Ndërkaq ngjarja është nën gjykim në një gjykatë gjermane. Më 27 Maj do të zhvillohet për herë të parë një seancë dëgjimore në gjykatën administrative të Këlnit për të vrarët jemenitas si pasojë e sulmit me drone.

Sipas Andreas Schüller është hera e parë në botë që të prekur nga sulmet e droneve do të dëgjohen përpara gjykatës. Së bashku me European Council for Constitutional and Human Rights (ECCHR)Schüller ka ndihmuar jemenitasit në parashtrimin e padisë së tyre. Juristi e gjen Gjermaninë bashkëfajtore për shkak të bazës amerikane në Ramshtajn. Këtu amerikanët kanë instaluar një stacion relesh për satellitë, që është i domosdoshëm për komandimin e droneve. "Çdo sulm me drone mbi Pakistan ose Jemen ka një lidhje me Ramshtajnin", thekson Schüller në një bisedë për Deutsche Welle-n.

US-Drohnenangriff im Jemen - verstärkte Sicherheitskontrollen in Sanaa

Pas një sulmi me drone në Jemen në provincën al-Bayda më 19 prill 2014

Gjermania si pikë për sulmet me drone

Baza ushtarake në afërsi të Kaiserslauterit ka një sipërfaqe prej 1400 hektarësh. Në bazë të marrveshjes së vitit 1993, zyrtarët dhe politikanët gjermanë nuk mund të hyjnë aty pa lejen e komandantëve amerikanë. Ramshtajni është aeroporti amerikan më i madh ushtarak jashtë territorit të SHBA-së dhe këtu ndodhet edhe Air and Space Operations Centre. Sipas informacioneve të stacioneve televizive NDR dhe WDR si edhe të gazetës Süddeutsche Zeitung në këtë bazë ushtarake të sigurisë së lartë janë dislokuar 650 ushtarë që punojnë me 1500 kompjuter me monitorë të mëdhenj sa një trup njeriu. Kështu koordinohen sulmet ajrore kundër objektivave në Jemen, Somali, Afganistan dhe Pakistan. Me ndihmën e satelitëve dronet transmetojnë në Ramshtajn të dhëna dhe fotografi. Prej andej ato iu dërgohen pilotëve të droneve që ndodhen në më të shumtën e rasteve në SHBA. Andreas Schüller citon ish-pilotë të droneve, sipas të cilëve sulmet me drone do të ishin të pamundura pa Ramshtajnin. Jürgen Todenhöfer e njeh bazën ushtarake ajrore të Ramshtajnit. Ai ka qenë gjykatës në afërsi të Kaiserslauternit dhe anëtar i Bundestagut. Vrasjet e qëllimshme të administratës amerikane, doktori në fushën e jurisprudencës i vlerëson si krim.

Rolin e Gjermanisë Todenhöfer e dënon me vendosmëri: "Me ndihmën e Ramshtajnit po vriten njerëz në të gjithë botën, dhe asnjë gjykatës nuk e ka aprovuar këtë". Në funksionin e tij si publicist Todenhöfer ka udhëtuar në shumë vende të botës, ku operojnë dronet. Ai është në kontakt me një avokat që mbron viktimat e droneve në rajonin Vaziristan në kufirin afgano-pakistanez. Todenhöfer raporton që avokati i ka konfirmuar përpara pak kohësh në telefon se 90 për qind e viktimave nga sulmet e droneve janë të pafajshme.

41 objektiva, 1147 të vrarë

Dyshime akoma më të mëdha për të ashtuquajturin "precizion kirurgjikal" vijnë nga një studim i raportit të organizatës joqeveritare britanike "Reprive", e cila kishte analizuar materiale të publikuara rreth luftës me drone. Rezultati: për të eliminuar 41 persona nga lista e presidentit Obama për njerëzit që duhen eliminuar janë vrarë 1147 persona. Listën e njerëzve të vrarë pa qëllim e kryeson aksioni për vrasjen e kryetarit islamik të fisit nga Pakistani, Baitullah Mehsud. Gjashtë herë kanë lëshuar pa rezultat dronet amerikane raketat-hellfire, por arritën të vrasin Mehsudin vetëm në verën e vitit 2009 me tentativën e shtatë. Gjithsej janë vrarë 147 njerëz nga këto sulme.

Amrith Singh që punon për Open Society Justice Initiative ka botuar në prill një studim për viktimat civile si pasojë e sulmeve me drone. 128 faqet e "death by Drone" i kushtohen rasteve në Jemen. Në bisedë për DW Singh shpreh dyshime serioze që sulmet me drone të jenë në përputhje me Drejtën Ndërkombëtare ose edhe vetëm me parimet bazë të politikës së SHBA-së. Singh kujton se presidenti amerikan Obama kishte deklaruar në vitin 2013 se përpara se të lëshohen raketa nga dronet duhet thuajse të përjashtohet rreziku që të vriten ose plagosen civilë jashtë Afganistanit. Më tej thuhej se terroristët mund të vriten vetëm në rastin kur do të jetë e pamundur kapja e tyre. Raportet e Singh-ut vërtetojnë se të sulmuarit nuk qendronin të fshehur dhe as nuk ishin në rajone të pakontrollura. Ata mund të arrestoheshin nga autoritetet jemenitase.

Një kusht tjetër i vendosur nga Obama ka qenë që mund të sulmohen vetëm ata persona, që paraqesin rrezik direkt dhe të vazhdueshëm për sigurinë e popullit amerikan. Edhe ky kusht është cënuar disa herë, mendon Singh. Në asnjë rast të dokumentuar deri më tani nuk ka pasur indikacione të qeverisë amerikane apo jemenitase që ato të kenë paraqitur rrezik për popullin amerikan. Studimi i Singh-ut përmban deklarata të viktimave dhe të të afërmve të tyre. "Këta njerëz përsërisin se ata duan që atyre t´u njihen vuajtjet. Ata duan të dinë se pse janë sulmuar dhe mbi të gjitha duan drejtësi." Ndoshta jemenitasi Faisal bin Ali Jaber arrin të marrë drejtësi në Këln. Është ironi e fatit që vetëm disa ditë më parë se të vritej nga sulmi me drone, kunati në predikimin e tij kishte sulmuar ashpër Al-Kaidën. Ky nuk ishte predikimi i tij i parë i këtij lloji, por për fat të keq i fundit.