1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230809 Schweden Israel

24 Gusht 2009

Përsëri fërkime diplomatike mes një vendi skandinav dhe një shteti nga Lindja e Afërt, për shkak të një artikulli gazete. Fjala është këtë herë për Suedinë dhe Izraelin dhe artikulli trajton akuza për tregti organesh.

https://p.dw.com/p/JH9j
Ambasadori izraelit në Suedi, para një vepre arti.
Zënka mes Izraelit dhe Suedisë për një artikull gazete që trajton akuzat për tregti organesh.Fotografi: AP

Gazetat izraelite të dielën (23.8.) kishin thuajse të gjitha vetëm një temë: refuzimin e qeverisë suedeze, për të dënuar artikullin e kontestuar në gazetën e madhe bulevardeske 'Aftonbladet' (Gazeta e mbrëmjes). Një gazetë izraelite i akuzoi suedezët për 'racizëm bjond'. Sipas gazetës, skandinavët ngatërrojnë lirinë e shtypit me "lirinë e shpifjever". Diskutimi u ndez edhe më shumë në fundjavë nga politika në Izrael. Politikanë të të gjitha partive qeveritare nga kampi i djathtë, i kërkuan në mënyrë të përsëritur Stokholmit, të merrte qëndrim të qartë kundër artikullit.

Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt.
Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt, refuzon dënimin e artikullit.Fotografi: AP

Në artikullin e kontestuar informohej rreth akuzave të palestinezëve, sipas të cilëve të afërmve të tyre të vrarë, në vitin 1992, u ishin marrë organe nga ushtarët izraelitë. Autori i artikullit, pa paraqitur prova, bënte një lidhje me hetimet aktuale kundër një rabini në SHBA, të akuzuar për tregti organesh. Në mbledhjen e kabinetit të ditës së djelë (23.8.) edhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kërkoi dënimin e artikullit. Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt, e refuzon këtë kërkesë. Ministri izraelit i Punëve Sociale Issac Herzog nga Partia Laburiste social-liberale, u shpreh se shpreson ende që Stokholmi të ndërrojë mendje. "Ne presim nga miqtë tanë suedezë, të ngrenë zërin kundër një artikulli me përmbajtje të tillë. Duke e njohur personalisht Ministrin Carl Bildt, jam i sigurt, se si burrë i ndershëm, do të gjejë natyrisht një rrugë, për të shprehur pakënaqësinë e tij me artikullin. Ne sigurisht do të marrim në konsideratë hapa juridikë kundër gazetës, që boton një artikull të tillë", u shpreh Herzog.

Ministri i Jashtëm izraelit Avigdor Liebermann, populist i djathtë, përdori gjatë ditëve të shkuara tone aspak diplomatike. Ai e krahasoi sjelljen aktuale të qeverisë suedeze me pozicionin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atëherë Suedia pati heshtur për Holokaustin dhe kështu po veprohet edhe tani, akuzoi Liebermann.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe Ministri i Jashtëm izraelit Avigdor Liebermann.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kërkoi dënimin e artikullit. Ministri i Jashtëm izraelit Avigdor Liebermann krahasoi sjelljen aktuale të qeverisë suedeze me pozicionin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore.Fotografi: AP/DPA/DW-Grafik

Kryeministri suedez Frederik Reinfeldt, njëkohësisht kryetar i radhës i Këshillit të BE-së, hodhi poshtë kërkesat nga Jeruzalemi, duke iu referuar lirisë së shtypit. Askush nuk mund të kërkojë, që qeveria suedeze të bjerë ndesh me kushtetutën e vendit, është shprehur Reinfeldt. Në mes të shtatorit Ministri i Jashtëm suedez Bildt, pritet për një vizitë në Izrael. Sipas njoftimeve të medieve izraelite, Jeruzalemi po shqyrton tani, nëse do ta anulojë vizitën apo të diskutojë me Ministrin Bildt, vetëm mbi artikullin e kontestuar dhe të heqë nga rendi i ditës tema të tilla si, ndërtimi i ngulimeve hebreje në krahinat palestineze, apo situata në Rripin e Gazës. Në këto pika Stokholmi e ka kritikuar në mënyrë të përsëritur në të kaluarën qeverinë izraelite.

Autoritetet izraelite kanë marrë ndërkohë masa kundër gazetës "Aftonbladet" dhe bashkëpunëtorit të saj, i cili ka shkruar artikullin mbi tregtinë e supozuar të ushtarëve izraelitë me organe të palestinezëve. Leja e qëndrimit dhe ajo e punës e reporterit do të pezullohen, bëri të ditur Ministria e Brendshme izraelite. Ndërsa Zyra shtetërore e Shtypit njoftoi, se do të shqyrtojë për një periudhë tremujore miratimin e kartave të gazetarit, për dy punonjës të gazetës "Aftonbladet".

Autor : Tim Aßmann / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama