Vazhdojnë bisedimet Thaçi - Daçiq
8 Korrik 2013E ngarkuara e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton ka nisur konsultimet e ndara me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq e më pas do të bisedojë edhe me kryeminsitrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pasdite dhe në mbrëmje do të zhvillohet edhe takimi trilateral, ku palët do të bëjnë përpjekje të arrijnë marrëveshje për fushën e energjisë dhe telekomunikacionin. Deri më tani palët në negociatat teknike, të zhvilluara kohët e fundit, nuk kanë mundur të arrijnë ndonjë marrëveshje përfundimtare. Pala serbe ka kërkuar që në Kosovë të ketë edhe një rrjet të saj të telefonisë mobile, ndërkohë që mosmarrëveshje ka dhe rreth burimeve të energjisë elektrike. Bisedimet do të vazhdojnë edhe gjatë darkës së përbashkët dhe deri tani nuk dihet se kur do të përfundojnë. Por baronesha Ashton ka paralajmëruar se nesër dhe pasnesër do të vizitojë fillimisht Beogradin e më pas edhe Prishtinën, ku do të takohet me autoritetet më të larta.
Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijançiq nuk deshi të komentojë më detajisht vendimin e Kuvendit të Kosovës që të refuzojë projektligjin për amnistinë, që është një prej parakushteve për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. "Puna në këtë ligj po vazhdon", tha ajo. Ndërsa burime diplomatike në Bruksel shprehen të bindura se ligji do të miratohet së shpejti.
Të enjten miratohet ligji për amnisti
Kryeministri i Kosovës Thaçi ka deklaruar në Bruksel se sot pret marrëveshjen për telekomin dhe energjetikën. "Shpresojmë se do të arrihet zgjidhje pragamtike në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, por që janë edhe në interesin e përbashkët të dy vendeve tona. Shpresoj se deri në fund të vitit do të merremi vesh për të gjitha temat e rëndësishme dhe për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane" theksoi Thaçi. Kryeministri i Kosovës u shpreh i bindur se të enjten në parlament do të miratohet edhe ligji kontestues për amnistinë. "Të gjitha këto marrëveshje janë në shërbim normalizimit të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, në shërbim të vazhdimit të proceseve integruese evropiane dhe në shërbim të përmirësimit të raporteve mes njerëzve në mbarë rajonin, pavarësisht përkatësisë së tyre nacionale", nënvizoi ai.
Bisedimet nën hijen e plagosjes së gjashtë shqiptarëve
Bisedimet e sotme po mbahen nën hijen e një incidenti të rëndë, i cili ka ndodhur mbrëmë vonë në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ku xhandarmëria serbe ka plagosur gjashtë shqiptarë. Burimet serbe thonë se shqiptarët e armatosur "kanë dashur të vjedhin dru në territorin e Serbisë, në fshatin Borovc, me ç'rast kanë sulmuar forcat serbe, të cilat janë përgjigjur dhe kanë plagosur gjashtë persona". Për disa orë me radhë ka qenë i mbyllur edhe kurifi në këtë pjesë. Merret vesh se dy persona kanë përjetuar plagë të rënda, ndërsa të tjerët më të lehta. Deri tani kryeministrat Thaçi dhe Daçiq nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë lidhur me këtë incident të armatosur.