1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdimësi me thekse të reja

27 Tetor 2009

Politika e ardhshme gjermane në fushën e jashtme dhe të zhvillimit

https://p.dw.com/p/KGIg
Ministri i ri i jashtëm Guido WesterwelleFotografi: picture alliance/dpa

Ministri i ri i jashtëm gjerman quhet Guido Westerwelle dhe është kryetari i partnerit të vogël në qeverinë e re të Angela Merkelit, demokratëve të lirë (FDP). Kjo është partia liberale në Gjermani, e cila ka qenë njëmbëdhjetë vjet në opozitë. Linja kryesore e politikës së jashtme dhe e asaj të sigurisë do të mbetet e pandryshuar. Por marrëveshja e koalicionit të ri qeveritar përmban edhe disa thekse të reja.

"Në politikën e jashtme nuk është fjala vetëm për vazhdimësinë, por edhe për atë, që gjërat fillojnë nga e para," tha ministri i ri i jashtëm Guido Westerwelle i partisë liberale (FDP) me rastin e prezantimit të marrëveshjes së koalicionit. Por në qoftë se asaj i hedh një vështrim të vëmendshëm, atëherë vë re se aty mbisundon kontinuiteti. Linjat kryesore mbeten të njëjtat: Bashkimi Evropian dhe NATO janë për Gjermaninë aleatët më të rëndësishëm, marrëdhëniet e ngushta me SHBA-në janë po aq të pazëvendësueshme sa edhe bashkëpunimi i ngushtë me Rusinë. Marrëveshja e koalicionit thekson raportin e posaçëm të Gjermanisë me Izraelin dhe bën të ditur se qeveria e re do të mbështesë "me vendosmëri" një zgjidhje me dy shtete.

Negociatat për pranime në BE duhet të zhvillohen "pa rezltat të përcaktuar pparaprakisht", në rastin e Turqisë nuk ekziston një "automatizëm" për pranim. Dialogu me Kinën duhet intensifikuar dhe bisedimet me Iranin për çështjet berthamore duhen vazhduar. Në qoftë se është e nevojshme, Gjermania do të mbështesë ashpërsimin e sanksioneve kundër Iranit.

Vendi i përhershëm në KS/OKB mbetet synim

UN-Sicherheitsrat, Nordkoreas Atomtests
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të BashkuaraFotografi: AP

Edhe qeveria e re do të kandidojë, në qoftë se Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të reformohet, apo të zgjerohet. Dëshira është një vend i përbashkët për evropianët, vendi i përhershëm për Gjermaninë në Këshillin e Sigurimit është gjithashtu një synim i rëndësishëm.

Me formulime të ngjashme e kanë paraqitur strategjinë e politikës së jashtme edhe qeveritë e mëparshme. Surpriza të mëdha nuk ka për të patur veçanërisht kur kancelarja Angela Merkel është personifikimi i stabilitetit të politikës së jashtme në kabinetin e ri. Megjithatë Guido Westerwelle dëshiron të lërë gjurmët e tij. Ai dëshiron të ecë në rrugën e ministrave të jashtëm të suksesshëm, si të liberalit Hans-Dietrich Genscher. Në radhë të parë në politikën e sigurisë partia liberale ka sjellë thekse të reja në marrëveshjen e koalicionit.

"Ne duam që armët e fundit atomike, që janë akoma të stacionuara në Gjermani, të tërhiqen dhe për këtë do të zhvillojmë bisedimet përkatëse me partnerët tanë."

Negociata për tërheqjen e armëve bërthamore të mbetura

Deutschland USA Fliegerhorst in Büchel
Baza ushtarake Büchel, ku janë stacionuar armët bërthamore të mbetura.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Fjala është për afro 20 bomba atomike amerikane, që mbahen në aeroportin ushtarak të Bundesverit Büchel në Eifel në perëndim të vendit, një bllok ky në konceptin e NATO-s i ashtuquajtur pjesëmarrje nukleare. Me këtë Westerwelle duhet të gjejë dyer të hapura tek Barack Obama, sepse Presidenti amerikan vetë angazhohet me vendosmëri për çarmatimin berthamor.

Partia liberale ka mundur të arrijë, që të reduktohet pjesëmarrja e marinës gjermane në misionin e OKB-së (UNIFIL) para bregdetit të Libanit "me perspektivën që të përfundojë", siç thuhet tekstualisht në marrëveshjen e koalicionit. Liberalët kanë qenë gjithmonë kundër dërgimit të ushtarëve gjermanë në Lindjen e Afërt dhe gjithmonë kanë votuar në parlament kunder mandatit të UNIFIL-it. Për efektin e misionit që në fillim ekspertët kanë qenë skeptikë.

Angazhim i pandryshuar në Afganistan

Pak gjëra të reja ofron marrëveshja e koalicionit në temën e Afganistanit: Qeveria e re gjermane (unioni kristiandemokrat-kristiansocial dhe liberalët) dëshiron të vazhdojë angazhimin e Bundesverit nën moton e njohur "siguri e ndërthurur". Për një tërheqje të mundshme të Bundesverit, afatmesme apo afatgjatë, nuk bëhet fjalë në marrëveshjen e koalicionit. Nëse strategjia e trupës së NATO-s ISAF është në gjendje të garantojë suksesin e ardhshëm, do ta vendosë një konferencë ndërkombëtare. Në të do të marrë pjesë edhe i ngarkuari i posaçëm i Gjermanisë për Afganistanin, të cilin qeveria do ta ngarkojë për bashkërendimin me aleatët.

Partnerët e koalicionit kanë gjetur një kompromis lidhur me shërbimin ushtarak: Partia liberale ishte për heqjen, ndërsa unioni kristiandemokrat për mbajtjen e shërbimit ushtarak për të rinjtë. Rezultati është shkurtimi i shërbimit ushtarak nga nëntë muaj në gjashtë duke filluar nga viti 2011. Një vendim, që mund të shërbente si heqje graduale e shërbimit ushtarak. Ekspertët dyshojnë që gjashtë muaj janë të mjaftueshëm për një përgatitje të mirë ushtarake. Ministrit të ri të mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg (CSU) i është dashur të kryejë një shërbim ushtarak edhe më të gjatë në fillim të viteve 90-të.

Autore: Nina Werkhäuser / Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj