190111 Tunesien Neuanfang
19 Janar 2011Në rrugët e Tunisit njerëzit grinden. Kjo docente universiteti nuk e mban dot më veten. Për të është skandal, që edhe në qeverinë tranzitore ka hyrë edhe partia opozitare Ettajdid, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë me kuadro të vjetra të Ben-Ali-së. "Kush e di se kush i vrau të gjithë ata njerëz që demonstruan në mënyrë paqësore?", pyet ajo. Tunizia duhet të ngrihet tani vetë në këmbë. Por atëherë mund të shpërthejë kaosi, druhet një tjetër dhe e shan gruan: ajo me siguri është komuniste.
Dy kate më lart ndodhet qendra e partisë opozitare të majtë, Ettajdid. Udhëheqësi i partisë, Juneidi Abdelxhavad mbyll derën e dhomës së konferencave. Këtu nuk është e lehtë të gjesh një vend të qetë. Sepse kudo diskutohet, telefonohet, argumentohet. Pastaj është edhe zhurma e helikopterëve, që qarkullojnë pa ndërprerje mbi qytet.
Juneidi Abdelxhavad thotë se opozita nuk e ka pasur të lehtë që të merrte vendimin që mori. Por situata në vend është serioze dhe e ardhmja plot me rreziqe. Prandaj partia e tij do të marrë përgjegjësinë- konkretisht: të krijojë një qeveri tranzitore, e cila të përgatisë zgjedhje demokratike dhe një reformë të vërtetë politike.
Këtë e panë fillimisht në këtë mënyrë edhe drejtuesit e sindikatës së fuqishme UGTT. Po pastaj u organizua një demonstratë e madhe para qendrës sindikale. Qindra vetë kërkuan tërheqjen nga qeveria tranzitore. Ata i bënë thirrje organizatës që të mos hynte në bisedime me mbështetësit e dikurshëm të Ben Ali-së, por të kërkonte një fillim radikal të ri. Me sukses: sindikata i tërhoqi sërish ministrat e saj. Pasoja: një ditë pas themelimit të saj, qeveria tranzitore po lëkundet. Me siguri, për këtë arsye dolën të martën pasdite nga partia në pushtet RCD edhe presidenti tranzitor Fuad Mebaza dhe kryeministri Mohamed Ghanuçi.
Por kjo nuk do të ketë ndonjë efekt të madh, mendon Jürgen Theres, i ngarkuar me Magrebin i Fondacionit Hans Seidel në Tunis: "U duhet lënë zgjedhësve, që të vendosin se sa besueshëm tregojnë politikanët se nuk kanë bashkëpunuar në mënyrë vendimtare me regjimin e vjetër diktatorial dhe se kanë mbetur njerëz të ndershëm. Tani diskutohet vetëm një gjë: si ta organizojmë tranzicionin?"
Shumë tunizianë duan vetëm një gjë: që ky tranzicion të jetë në njëfarë mënyre i rregullt, dhe që vendi të gjejë qetësi dhe rregull. Kjo po ndodh, edhe nëse po ndodh ngadalë.
Autor: Marc Dugge/ Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama