1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vatikani shpall shenjtorë Gjon Palin II dhe Gjonin XXIII

Angjelina Verbica (kna, dpa)27 Prill 2014

Papa Françesku shpalli shenjtorë paraardhësit e tij Gjon Pali II e Gjon XXIII. Dy papë të ndryshëm nga njëri tjetri. Formulën e shenjtërimit papa e lexoi në meshën në sheshin e Shën Pjetrit para qindramijëra besimtarëve.

https://p.dw.com/p/1Bp68
Fotografi: Reuters

Kisha Katolike ka dy shenjtorë të rinj. Pas një kërkese të trefishtë të kardinalit të kuries Angelo Amato, përgjegjës për shpalljen e shënjtorëve, Papa Françesku shpalli zyrtarisht shenjtorë Gjonin XXIII (1958-1963) dhe Gjon Palin II (1978-2005). Formula e shenjtërimit u përshëndet nga mijëra njerëz në sheshin e Shën Pjetrit me duartrokitje të forta dhe të gjata. Mbi fasadën e katedrales së Shën Pjetrit vareshin portrete të mëdha të dy shenjtorëve të rinj.

Pas shpalljes zyrtare nga Papa Françesku u sollën në altar reliket e të dy papëve. Një ampulë me gjakun e Gjon Palit II mbahej nga Floribeth Mora Diaz prej Kosta Rikës. Ajo, sipas kishës katolike, është shëruar nga një një aneurizëm i pashërueshme i trurit pas lutjes së Gjon Palit II për të. Shërimin e saj kisha katolike e ka pranuar si një mrekulli.

Papa puth relilken e sjellë nga Floribeth Mora.
Papa puth relilken e sjellë nga kostarikanja Floribeth Mora.Fotografi: VINCENZO PINTO/AFP/Getty Images

Qindra besimtarë e ndoqën ceremoninë në sheshin e shën Pjetrit në Romë. Shumë prej tyre mundën ta ndiqnin atë vetëm përmes ekraneve të mëdha në qytet, por kjo nuk e dëmtoi atmosferën ashtu si edhe as moti i vranët.

Që herët në mëngjes njerëzit vërshuan drejt sheshit të Shën Pjetrit. Shumë prej tyre e kishin kaluar natën jashtë pranë Vatikanit për të siguruar një vend të mirë. Që nga e shtuna pasdite 13 kisha të mëdha në qendër të qytetit ndodheshin të hapura për lutje për të krijuar sintoninë shpirtërore për eventin e madh të kishës. Rruga Via de la Conciliazione, që të çon në shesh, i ngjante një deti me flamuj, në rradhë të parë polakë.

Rreth 100 delegacione zyrtare

Qyteti i Romës kishte ngritur një zonë sigurie përreth Vatikanit dhe kishte bllokuar zonën ndërmjet katedrales së shën Pjetrit dhe bregut të lumit Tiber.

Në meshën papale merrte pjesë edhe paraardhësi i Françeskut, i cili dha dorëheqjen, Papa Benedikti XVI. Ai u prit me përshëndetjet "Benedetto" nga besimtarët. Papa Françesku festoi meshën për paraardhësin e tij polak dhe papën reformator italian së bashku me rreth 150 kardinalë, rreth 1000 peshkopë nga e gjithë bota, si dhe 6000 priftërinj.

Rruga në perëndim, që lidhet me aeroportin e Fiumicinos, ishte rezervuar për të ftuarit nga jashtë. Gjithsej rreth 100 delegacione zyrtare të qeverive dhe organizatave ndërkombëtare kishin njoftuar pjesëmarrjen në meshën papale, ndër ta mbretër, presidentë shtetesh, kryeministra dhe përfaqësues të feve të tjera, të cilët që në orët e mëngjezit shkonin në Vatikan të përcjellë nga eksportat e policisë. Qeveria gjermane përfaqësohej nga ministrja e Punës, Andrea Nahles (PSD). Edhe zëvendëskryetari i parlamentit John Sing Hammer (CSU) merrte pjesë në ceremoninë në Romë.

Shumë besimtarë nga Polonia merrnin pjesë në meshën në Romë
Shumë besimtarë nga Polonia merrnin pjesë në meshën në RomëFotografi: ALBERTO PIZZOLI/AFP/Getty Images

Dy shenjtorë krejt të ndryshëm

Të dy papët, që u shpallën të shenjtë nga Françesku, nuk ka si të bëhen më të ndryshëm. Papa italian Gjoni XXIII inicioi modernizimin e kishës katolike dhe e hapi kishën më shumë për dialogun me botën përmes Koncilit të dytë të Vatikanit (1962-1965).

Gjon Pali II nga ana tjetër mishëron një kthim në vlerat tradicionale. Ai ishte papa i parë joitalian pas 455 vjetësh. Në 104 udhëtime jashtë vendi ai vizitoi 140 vende. Me vizitat në vendlindjen e tij në Poloni ai kontribuoi në masë të madhe për fundin e bllokut të Lindjes. Pontifikati i tij, që zgjati gati 27 vjet, ka qenë i dyti për nga kohëzgjatja në historinë e kishës.