130111 Russland Polen Unglück Smolensk
13 Janar 2011Raporti i Autoritetit të Aviacionit të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura MAK, u prezantua të mërkurën në Moskë. Milleri tha se publikimi i këtij raporti i hap rrugën etapës tjetër, asaj të sqarimit të rrethanave, që çuan në tragjedinë ajrore të 10 prillit 2010, gjatë së cilës e humbën jetën ish-presidenti polak Lech Kaczynski dhe 95 persona të tjerë. Delegacioni polak po udhëtonte për në Katyn, për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore për mijëra oficerë polakë të pushkatuar atje në pranverën e vitit 1940.
Përgatitje e pamjaftueshme
Milleri tha se as Polonia dhe as Rusia nuk ishin të përgatitur mirë për sigurinë e këtij fluturimi:
"Të dyja palët nuk ishin përgatitur në mënyrë të përsosur për një fluturim të sigurt. Po them njëkohësisht se ato ishin të papërgatitura edhe për fluturimin e datës 7 prill 2010."
Në këtë datë për në Smolensk dhe Katyn kishte udhëtuar me avion kryeministri Donald Tusk.
Rusia, tha Milleri i ka marrë parasysh vërejtjet e palës polake në lidhje me raportin, por nuk i ka botuar të gjitha.
"Jemi të pakënaqur, sepse sipas mendimit tonë në raportin e MAK-ut duhet të merreshin parasysh të gjitha vërejtjet e palës polake në lidhje me katastrofën," - tha Milleri.
Kaczynski i pakënaqur
Kreu i opozitës polake, Jaroslaw Kaczynski, vëllai i presidentit të vdekur, reagoi i zemëruar në lidhje me raportin e MIK-ut. Nuk ka asnjë dëshmi bindëse, që përgjegjëse për rrëzimin e avionit ishin vetëm polakët. Rezultatet më të rëndësishme të raportit bazohen në spekulime, tha Kaczynski duke shtuar:
"Raporti është tallje me Poloninë, dhe në këtë mes është shfrytëzuar qëndrimi i tërhequr i qeverisë së Donald Tuskut, qëndrim i cili nuk mund të mbrohet në asnjë mënyrë.“
Autor: Miroslaw Jablonski/Pandeli Pani
Redaktoi: Auron Dodi