1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Valë e re protestash në vendet arabe

AGJ / Esat Ahmeti 14 Shtator 2012

SHBA presin vazhdimin e valës së protestave kundër institucioneve të tyre në botën myslimane. Pas sulmeve në konsullatën amerikane në Bengazi, autoritetet libiane kanë arrestuar katër burra.

https://p.dw.com/p/168qF
Protestat në Jemen
Fotografi: Reuters

Pas sulmeve në konsullatën amerikane në Bengazi, autoritetet libiane kanë arrestuar katër burra. Ata dyshohet të kenë ndihmuar në sulmet ndaj konsullatës, tha të enjten zëvendësministri i Brendshëm, Vanis Sharif. Të martën si pasojë e sulmeve në Bengazi humbën jetën ambasadori amerikan dhe tre diplomatë të tjerë. Në Jemen gjatë protestave anti-amerikane u vranë katër dhe u plagosën qindra njerëz të tjerë. Njerëzit kishin dalë në rrugë, ashtu si më parë në Egjipt, Libi dhe Tunizi, për të protestuar kundër një filmi të prodhuar në SHBA, i cili fyen profetin Muhamed.

Valë e re protestash në vendet arabe

Demonstrues në Libi dënojnë sulmet kundër përfaqësisë diplomatike të SHBA-së
Demonstrues në Libi dënojnë sulmet kundër përfaqësisë diplomatike të SHBA-sëFotografi: Reuters

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara presin vazhdimin e valës së protestave kundër institucioneve të tyre në botën myslimane dhe për kët arsye kanë vënë në gatishmëri të lartë të gjitha misionet e tyre diplomatike. Siç njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit gjendja do të jetë kritike, sidomos pas përfudimit të lutjeve të së premtes apo siç njihen ndryshe - falja e namazit të xhumasë.

Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton dënoi në një takim me homologun e saj maroken, Saadeddine Othmani, videon anti-islame me shpresën për të qetësuar myslimanët e zemëruar. "Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka të bëjë absolutisht aspak me këtë video. Ne e kundërshtojmë absolutisht përmbajtjen dhe mesazhin e saj", tha Clinton.

Ban Ki Moon bën thirrje për qetësi dhe maturi

Në Egjipt vazhdojnë protestat para ambasadës amerikane në Kajro.
Në Egjipt vazhdojnë protestat para ambasadës amerikane në Kajro.Fotografi: Reuters

Nisur nga protestat e dhunshme në Libi, Egjipt dhe vende të tjera arabe, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, bëri thirrje për qetësi dhe maturi. Vrasjet dhe sulmet nuk mund të justifikohen me asgjë, tha ai duke iu referuar filmit anti-islam, kundër të cilit drejtohen demonstratat. Filmi është "i mbushur me urrejtje" dhe "siç duket i përgatitur me vetëdije", "për të mbjellë fanatizëm dhe gjakderdhje", tha Ban.