Ushtria ukrainase njofton për suksese në betejën për marrjen e Donezkut
11 Gusht 2014Trupat qeveritare kanë qëlluar përsëri me artileri të rëndë pozicionet e separatistëve prorusë në qytetin industrial Donezk në Ukrainën Lindore. Sipas njoftimeve të administratës së qytetit, pas goditjeve të rënda me granata, në zonat e prekura kanë shkuar ambulanca dhe automjete për shuarjen e zjarrit. Mbi disa pjesë të qytetit del tym i zi. Kryengritësit, që i janë përgjigjur zjarrit, kërkojnë armëpushim duke vënë në dukje situatën e vështirë të popullsisë civile në Donezk.
Gjatë luftimeve është qëlluar edhe një burg. Një i burgosur është vrarë, njoftoi administrata e qytetit, 15 të tjerë janë plagosur. Pas rënies së raketave të burgosurit kanë ngritur krye, 106 prej tyre kanë mundur të arratisen.
Ushtria: Donezku krejtësisht i rrethuar
Ushtria ukrainase sipas të dhënave të saj është duke marrë Donezk-un. Njësitë kanë fituar ndjeshëm terren, duke çarë kontrollin e luftëtarëve prorusë, i tha zëdhënësi i ushtrisë Andrii Lysenko për agjencisë së lajmeve Reuters.
"Trupat e operacionit antiterror përgatiten për fazën përfundimtare të çlirimit të Donezkut", tha Lysenko. "Ushtarët tanë e kanë shkëputur krejtësisht Donezkun nga Luhansku. "Po punohet për çlirimin e të dy qyteteve. Konfirmin të të dhënave të zëdhënësit ushtarak nga ana e rebelëve nuk ka."
Separatistët: Të gjitha viktimat e MH17 janë gjetur
Grupet militante njoftuan se në vendin e rrëzimit të avionit malajzian MH17 kanë gjetur të gjithë trupat dhe sendet personale të 298 viktimave. "Ne kemi zbuluar mbetjet e fundit nën rrënojat e avionit dhe ua kemi dorëzuar ato palës ukrainase", tha udhëheqësi i separatistëve Andrej Purgin. Ai tha se njerëzit e tij kanë kontrolluar të gjithë fushën e rrëzimit të avionit në Grabovo. Nga ekspertët ndërkombëtarë nuk ka patur fillimisht asnjë konfirmim. Vullnetarët e kanë kontrolluar zonën pas rrëzimit të avionit Boeing më 17 korrik, por ata u detyruan të largohen nga vendi i përplasjes për shkak të shpeshtimit të luftimeve.
Rusia e akuzoi përsëri Ukrainën për bombardimin e zonës së saj kufitare. Në rajonin Rostov kanë rënë disa granata, njoftoi shërbimi sekret FSB, përgjegjës për kontrollin kufitar. Rusia është ankuar vazhdimisht javët e fundit për bombardime nga ana e Ukrainës. Prej tyre ka humbur jetën së paku një civil, disa shtëpi janë dëmtuar.