1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria gjermane dhe trupa e ndërhyrjes së shpejtë në Afganistan

30 Janar 2008

NATO-ja i kërkon Bundesverit 250 ushtarë për misionet luftarake të trupës së ndërhyrjes së shpejtë në Afganistan. Qeveria gjermane do ta marrë vendimin për këtë kërkesë të NATO-s në fillim të shkurtit.

https://p.dw.com/p/CzSI
Ushtarët gjermanë të trupës ndëkombëtare ISAF në AfganistanFotografi: AP

NATO-ja i ka kërkuar zyrtarisht Bundesverit, ushtrisë gjermane, që të verë në dispozicion 250 ushtarë për misionet luftarake të trupës së ndërhyrjes së shpejtë në Veri të Afganistanit. Detyra e kësaj trupe është që të sigurojë njësitë e trupës ndërkombëtare të sigurisë ISAF. Qeveria gjermane do ta marrë vendimin për këtë kërkesë të NATO-s në fillim të shkurtit. Misioni i ushtarëve gjermanë duhet të nisë në verë, pasi Norvegjia të tërheqë ushtarët e saj nga Afganistani. Kjo është një temë mjaft e komentuar në shtypin e sotëm.


"Westdeutsche Zeitung" që del në Dyseldorf tërheq vëmendjen: "Qeveria duhet të bindë, se përse nuk ka alternativë ndaj NATO-s dhe përse ajo i përmbahet misionit në Afganistan. Qeveria duhet të thotë të vërtetën: që trupa e ndërhyrjes së shpejtë është një njësi luftarake dhe se misioni i saj lidhet me reziqe. Njerëzit në vendin tonë duhet ta dinë, se çfarë u kërkohet bashkëqatetarëve të tyre nën uniformë, e këtë duhet ta mësojnë përpara se Gjermania të jetë zhytur thellë në luftën afgane."


Për komentatorin e "Ostthüringer Zeitung" të Gerës: "Pavarësisht analizës formale, shtrohet pyetja, nëse bundesveri pas misionit të avionëve zbulues Tornado do të ndërmarrë edhe një tjetër hap për një mision luftarak, që nuk ka të bëjë me ruajtjen e paqes. Lidhur me këtë ia vlen të debatosh në qetësi dhe me profesionalitet. Madje kjo është detyrë e parlamentit, që i nis ushtarët në një mision të rezikshëm jashtë vendit."


Një citat nga komenti i "Rhein Neckar Zeitung" që del në Heidelberg: "I gjithë misioni në Afganistan nuk ka pasur suksese. Ky mision nuk i ka sjellë vendit as paqe dhe as liri. Nën hijen e veprimeve luftarake po zgjerohet si asnjëherë tjetër kontrabanda me opiumin. Misioni megjithatë i dha fund situatës absurde, që Osama bin Ladeni e përdorte të gjithë vendin si një kamp stërvitjeje për terroristët. Në këtë kuptim lufta ishte e domosdoshme nga këndvështrimi perëndimor. Por derisa ajo të çojë drejt ndërtimit të një Afganistani civil dhe demokratik, do të duhen shumë vite e për fat të keq edhe shumë viktima nga radhët e aleatëve. Politika gjermane duhet të jetë aq e ndershme, që ta thotë hapur këtë përpara se t´i nisë ushtarët."