1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ushtria e Irakut e çliron Mosulin

Qyteti irakian Mosul sipas të dhënave ushtarake është çliruar milicia terroriste e "Shtetit Islamik". Mosuli konsiderohej për tri vite me radhë kështjellë e IS dhe kryeqytet i Kalifatit të vetëshpallur.

Trupat qeveritare irakiane e vendosën Mosulin plotësisht nën kontrollin e tyre, duke dëbuar luftëtarët e "Shtetit Islamik". Këtë e bëri të ditur një zëdhënës i Kryeministrit Hajdar al Abadi. Ai e uroi ushtrinë për këtë "fitore të madhe".

Sipas të dhënave të televizionit shtetëror, Abadi e vizitoi tashmë Mosulin. Pritet që ai ta shpallë këtë qytet të madh në Veri të vendit të çliruar.

"Kryekomandanti i Forcave të Armatosura, kryeministri Haider al-Abadi i uroi luftëtarët heroikë dhe popullin irakian për këtë fitore të madhe", u bë e ditur.

Koalicioni kundër IS flet për "fitore"

I ngarkuari i posaçëm i SHBA për luftimin e IS, Brett McGurk flet për një "fitore" të forcave irakiane të sigurisë në ish-kështjellën e IS.

Mosuli është qyteti i dytë për nga madhësia në Irak. "Shteti Islamik" e pati pushtuar këtë qytet në vitin 2014 dhe shpalli që këtu një "Kalifat" islamik në pjesë të Irakut dhe të Sirisë. Sipas njoftimeve të atëhershme, 30.000 ushtarë morën arratinë përballë vetëm 800 islamistëve militantë që po afroheshin. Në xhaminë e madhe në Mosul, drejtuesi i grupit terrorist të IS, Abu Bakr al-Bagdadi, u bëri thirrje myslimanëve nga e gjithë bota që të vijnë në territorin e pushtuar prej tij dhe ta mbështesin atë në xhihad.

Trupat irakiane e nisën ripushtimin e Mosulit në tetor. Pjesën lindore të qytetit ato e pushtuan në janar, një muaj më vonë nisën sulmin edhe ndaj pjesës perëndimore të qytetit. Koalicioni ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik i mbështet nga ajri luftimet e ushtrisë irakiane.

Shkatërrime e shumë të vrarë

Më shumë se 50 mijë banesa janë shkatërruar në Mosul. 900.000 vetëve iu desh të marrin arratinë që prej fillimit të ofensivës tetorin e fundit dhe të strehohen në kampe  me çadra. Nga bombardimet e vazhdueshme të forcave aleate ajrore e humbën jetën mijëra civilë, u copëtuan nga minat ose u vranë nga ekstremistët në arrati e sipër.

Ripushtimi i Mosulit është një hap i rëndësishëm, ndoshta fillimi i fundit të "Kalifatit Islamik". Por fati i milicisë terroriste, që në kohët e saj më të mira komandonte më shumë se 35 mijë persona të armatosur nga 100 kombe, me këtë nuk merr fund. Në Irak, xhihadistë vazhdojnë të mbajnë nën kontroll qytetin kufitar Tal Afar, ku janë strehuar 1000 deri 1500 ekstremistë. Në Irakun Qendror ata kontrollojnë distriktin Havixha pranë qytetit naftëmbajtës Kirkuk dhe në Irakun Perëndimor zonën rreth qytetit të Eufratit, Qaim.

Sipas një studimi të Akademisë ushtarake amerikane West Point, milicia terroriste ndërmori rreth 1500 atentate të reja në 16 qytetet sirianë dhe irakiane, prej të cilave është dëbuar. Për të penguar që IS të forcohet sërish, në zonat e ripushtuara duhet të vendoset siguria, të nxitet rindërtimi i qyteteve dhe i administratës, kërkohet në studim.