1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200911 Hunger Jemen

22 Shtator 2011

Forcat besnike të regjimit në Jemen kanë hapur zjarr mbi demonstruesit duke përdorur ditët e fundit edhe armë të rënda. Që prej ditës së dielë janë vrarë të paktën 46 vetë. Ekonomia e vendit është në kolaps.

https://p.dw.com/p/12dfY
YPolicia në Jemen kundër demostruesve
Policia në Jemen kundër demostruesveFotografi: dapd

Trazirat shpërthyen sërish, ndërkohë që plani për dorëzimin paqësor të pushtetit nga presidenti Ali Abdullah Saleh që ndodhet në Arabinë Saudite, pret që të zbatohet. Salehi, që sundon që prej vitit 1990 u plagos në muajin qershor gjatë një sulmi me raketa mbi pallatin e tij presidencial, dhe shkoi për trajtim mjekësor në Arabinë Saudite.

Premtimet e përsëritura për kthim nuk janë përmbushur ndërkohë që vendi  ka rënë në kaos ekonomik dhe politik. Anette Büchs, eksperte për Jemenin në Institutin Giga të Hamburgut, mendon se pas shpërthimit të fundit të dhunës ndodhen forcat e regjimit: "Salehi ka pas thënë gjithnjë se vendi do të shkojë në luftë civile, sapo të largohet ai nga skena. Në këtë mënyrë ai ka legjitimuar sundimin e tij gjithë këto vite. Në të vërtetë ai vazhdon të mbajë në dorë fijet e pushtetit, kryesisht nëpërmjet të birit, që drejton gardën republikane dhe të nipit, që ndodhet në shërbimet sekrete të vendit. Dhuna e shpërthyer tani mund të vlerësohet si taktike, për ta lënë vendin të bjerë në situatë të ngjashme me luftën civile." 

Policia në Jemen kundër demostruesve
Policia në Jemen kundër demostruesveFotografi: picture alliance / landov

Lëvizja opozitare shton aktivitetet

Ndërkohë që anëtarët e klanit të Salehit nga njëra anë dhe udhëheqësi i konfederatës së fiseve haxhixh, Sadik al-Ahmar, nga ana tjetër luftojnë prej muajsh me të gjitha forcat për të marrë sundimin e Jemenit, lëvizja opozitare është duke shtuar aktivitetet në rrugët e kryeqytetit. Ditën e hënë, ithtarë të opozitës kanë sulmuar një bazë ushtarake të gardës republikane, pa gjuajtur asnjë plumb. Në qendër të qytetit u hap një çadër e demostruesve.

Dhuna e fundit e dhunës në Jemen ka përkeqësuar gjendjen humanitare. Një në tre jemenitë vuan sot nga uria, thotë Richard Stanforth, i ngarkuari me Jemenin i organizatës humanitare, Oxfam:

"Çmimi i ujit është rritur shtatë herë. Në shumë pjesë të vendit mungon gazi për të gatuar. Si pasojë e trazirave politike, njerëzit kanë humbur punën. Jeta është bërë shumë e vështirë. Furnizimi me energji elektrike ndërpritet përditë, dhe pa karburant për gjeneratorët dhe energji elektrike, njerëzit nuk mund të nxjerrin ujin me pompa. Shpërndarja e ushqimeve në vend është ndërprerë. Situata është dramatike."

 

Autor: Daniel Scheschkewitz/ Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Aida Cama