1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më lehtë dhe më shpejt në Gjermani

Wolfgang Dick / Eliana Xhani29 Mars 2012

Qeveria gjermane synon të përmirësojë dukshëm kushtet për punonjësit e kualifikuar nga e gjithë bota. Deri tani në Gjermani vijnë shumë pak aplikantë për punë që kërkojnë kualifikim të lartë.

https://p.dw.com/p/14Taz
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermanisë i mungojnë gjithnjë e më shumë punonjës të kualifikuar. Para së gjithash informaticienë, inxhinierë dhe mjekë. Sipas të dhënave të Agjencisë Federale të Punës nevoja për punonjës të kualifikuar deri në vitin 2025 do të jetë më shumë se gjashtë milionë. Për këtë në Gjermani duhej të imigronin dy milionë vetë, konstaton agjencia. Imigrimi i deritanishëm i punonjësve të kualifikuar mes viteve 2005 deri 2010 ishte jo më shumë se 18.000 vetë nga vendet jashtë BE-së. Kushtet nën të cilat ata mund të fillojnë një punë në Gjermani janë shumë të pavaforshme.

Mungesë në kulturën e mirëseardhjes

Pengesat duhet të reduktohen - në këtë përfundim arrin qeveria gjermane. Kushtet, ato që janë deri tani në fuqi, për të marrë të ashtuquajturën "green-card" - leje pune - janë thjesht shumë të forta për shumë imigrantë potencialë. Kështu deri tani një imigrant me kualifikim shumë të lartë duhej të fitonte nga puna e tij në Gjermani të paktën 66.000 euro në vit. Nëse ky kusht nuk plotësohej kryhej një i ashtuquajtur "kontroll përparësie" nga agjencitë e punës. Vetëm nëse nuk kishte asnjë kandidat të përshtatshëm gjerman me të njëjtat aftësi profesionale, mund të punësohej aplikanti i huaj. Një procedurë poshtëruese, që merr shumë kohë dhe është shumë e vështirë. Imigrantët të cilët donin të fillonin një sipërmarrje të tyre me leje për vendosje në Gjermani, duhej të investonin në biznesin e tyre 250.000 euro dhe të krijonin të paktën pesë vende pune.

Kërkohen punonjës të kualifikuar nga jashtë
Kërkohen punonjës të kualifikuar nga jashtëFotografi: DW

Kushte pune të reja dhe më të mira

Tani qeveria gjermane kërkon të thjeshtojë procedurën përmes një ligji. Me "kartën blu" punonjësit me kualifikim të lartë që duan të punojnë në Gjermani, duhet ta kenë më të lehtë të fillojnë një punë apo të krijojnë sipërmarrjen e tyre. Pas fjalëve për polemika rreth projektligjit mes partive në qeveri, Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial dhe liberalëve (FDP), të dy grupet parlamentare nxituan të mërkurën (28.3.) të konfirmonin edhe njëherë kushtet e reja.

Vizë e re

Aplikantët e interesuar në të ardhmen mund të marrin një vizë për një gjysmë viti. Kjo vizë do të jepet vetëm për kërkimin e një vendi pune në Gjermani. I vetmi kusht: gjatë kësaj kohe aplikanti duhet të përballojë vetë kostot e qendrimit dhe të ketë diplomë universitare.

Kufij më të ulët për pagën

Për të shmangur shqyrtimin e përparësisë, kufiri minimal për të pagën nga puna në Gjermani në të ardhmen do të ulet nga 66.000 në 44.800 euro në vit. Për specialistë të cilët kërkohen me urgjencë në Gjermani si matematicienë, studiues të shkencave natyrore dhe informaticienë, në të ardhmen madje do të mjaftojë një e ardhur minimale vjetore prej 35.000 eurosh.

Përpunim më i shpejtë i kërkesave

Kush nuk e arrin këtë kufi minal për të ardhurat, mundet megjithatë të fillojë punë në Gjermani. Personi do t'i nënshtrohet shqyrtimit të përparësisë. Ky shqyrtim duhet të kryhet brenda dy javësh. Për këtë aplikantët do të gëzojnë një të drejtë ligjore. "Zyrat e punës dhe autoritetet për të huajt që tani duhet të japin një kontribut më të fortë për ardhjen e shpejtë të punonjësve të kualifikuar nga jashtë", kërkon eksperti për çështjet ligjore në Partinë Kristiandemokrate, Reinhard Grindel.

Amit Kulkarni nga India punon si inxhinier pranë ThyssenKrupp-Engineering në Essen
Amit Kulkarni nga India punon si inxhinier pranë ThyssenKrupp-Engineering në EssenFotografi: dpa

Leja e qendrimit

Me një kontratë pune mund të aplikohet për "kartën blu" dhe ta marrësh atë. Në këtë mënyrë pas vetëm tre vjetësh mund të merret një leje e pakufizuar qendrimi në Gjermani. Kush provon se ka njohuri të mira të gjermanishtes mund ta marrë madje brenda dy vjetësh. Kush kërkon të angazhohet si sipërmarrës, në të ardhmen nuk do të ketë nevojë të dëshmojë një shumë të caktuar investimi apo vendesh pune. Mjafton që për idenë e tij të biznesit të ketë interes të veçantë dhe nevojë në atë zonë.

Studentët nga vendet jashtë BE-së do të kenë në të ardhmen më shumë kohë për të kërkuar një vend pune pas përfundimit të studimeve: nga 12 muaj si deri tani, 18 muaj.

Politika kërkon të negociojë

Partitë opozitare nuk janë ende të kënaqura me përmirësimet e synuara. Grupet parlamentare të liberalëve dhe partive konservatore CDU/CSU do t'i diskutojnë propozimet e tyre për "kartën blu" brenda muajit prill me specialistë dhe më pas do t'i paraqesë në parlamentin federal. Grupet parlamentare të partive qeveritare nuk presin kundërshtim as në Këshillin e Landeve, Bundesrat. Ndryshimet mund të hyjnë në fuqi në 1 korrik 2012.