Ukraina mbrohet ndaj kritikave të BE-së
18 Shtator 2012Kryeministri ukrainas Nikolai Azarov u mbrojt ndaj kritikave të BE-së se Ukraina po bëhet gjithnjë e më autoritare. Gjatë forumit "Strategjia Evropiane e Jaltës" Azarov kërkoi një fillim të ri në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe BE-së. Azarov tha: "Ne mund t'i eliminojmë paragjykimet në fusha të ndryshme. Sa më shpejt, aq më mirë, ne mund t'i vemë marrëdhëniet tona mbi një bazë të re. "
Presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç, kishte thënë të premten se mendon se nënshkrimi i një marrëveshje strategjike me Bashkimin Evropian do të jetë i mundur pas zgjedhjeve parlamentare muajin e ardhshëm, por zyrtarët e BE-së thanë se rasti i Julia Timoshenkos vazhdon të jetë një problem.
Gjatë forumit "Strategjia Evropiane e Jaltës" Janukoviç argumentoi se zgjedhjet parlamentare të 28 tetorit, do të tregojnë angazhimin e Ukrainës për demokraci. Ai u përpoq ta minimizonte rëndësinë dhe ndikimin e rastit të Timoshenkos, udhëheqëses kryesore të opozitës së vendit, e cila vitin e kaluar u dënua me shtatë vjet heqje lirie për abuzim në zyrë.
Delegacioni i BE-së, në të cilin bën pjesë edhe ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt tha pas takimit me Janukoviç se "çështja e drejtësisë selektive "- me të cilin ata kishin parasysh dënimin e Timoshenkos - duhet zgjidhur para se marrëdhëniet me BE-në të mund të kalojnë në një nivel të ri.
Po ashtu ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt i bëri thirrje Ukrainës që të marrë një vendim, nëse do të bashkohet me zonën e tregtisë së lirë euroaziatike dhe bashkimit doganor të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit apo me BE-në. Bildt tha: "Unë nuk kam frikë se ata do të lëvizin në njërin drejtim apo në tjetërin, por se ata nuk lëvizin fare. Dhe duke pasur parasysh rritjen e shpejtë ekonomike globale kjo mund të jetë shumë e rrezikshme, sepse po të mos i bashkohesh as BE-së, as bashkimit doganor do të thotë që të rrezikosh stanjacionin."