1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të gjithë kundër Al Jazeeras

Tania Krämer
10 Gusht 2017

Izraeli si dhe vendet arabe po i kundërvihen masivisht televizionit Al Jazeera. Grindja mes qeverisë izraelite dhe Al Jazeeras po përshkallëzohet.

https://p.dw.com/p/2hxb8
Al-Jazeera in Jerusalem
Fotografi: picture-alliance/abaca

Vetëm pak ditë më parë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, u ankua ashpër në Facebook kundër Al Jazeeras. Ndërsa tani shoku i partisë së tij, ministri izraelit i Kominikimit Ayoub Kara, deklaroi, se do t'ia heqë akreditimin e shtypit kësaj medieje. Nëse kjo vihet në jetë gazetarët e kanalit televiziv në gjuhën angleze dhe arabe nuk mund të punojnë më në Izrael dhe në territoret e pushtuara palestineze. Po ashtu, tha Kara, do të mbyllet zyra në Jeruzalem dhe do të ndalohet transmetimi përmes ofruesit izraelit të transmetimit kabllor dhe satelitor. Arsyeja ka të bëjë me faktin, se media me seli në emiratin Katar përmes raportimeve të saj nxit për dhunë: "Liria e mendimit nuk do të thotë liri për nxitje, edhe demokracia ka kufijtë e saj", tha Kara.

Al-Dschasira Katar
Seksioni i lajmeve të Al-Jazeeras në DohaFotografi: picture alliance/dpa/T.Brakemeier

Netanjahu ka kritikuar raportimin e hollësishëm të këtij televizioni lidhur me grindjen për detektorët në Haram Al Sharif, në malin e Tempullit si dhe mbi trazirat në Jeruzalemin Lindor. Me këtë raportim Al Jazeera ka nxitur dhunën, kjo është akuza. Kjo kritikë e qeverisë izarelite nuk është e re. Edhe më parë kryesisht programi në gjuhën arabe i këtij televizioni është kritikuar si instrument propagande.

Por tani qeveria do me sa duket të ndërmarrë hapa të mëtejshme politike për t'iu kundërvënë këtij televizioni. Eshtë e paqartë, se si janë konkretisht këto plane. Zyra qeveritare e shtypit, që është përgjegjëse për lëshimin dhe tërheqjen e akreditimeve të gazetarëve, sipas të dhënave të veta, fillimisht ka kërkuar një vlerësim profesional nga shërbimet e sigurisë lidhur me Al Jazeeran. Vetëm pas kësaj do të merret vendimi, u shpreh drejtori Nitzan Chen.

Pas kësaj Izraeli po konfrontohet me kritikën, se është duke reaguar njësoj si shtetet autoritare arabe, që në muajt e fundit kanë marrë masa të forta kundër këtij televizioni. Këto plane duken si një "skenar i Arabisë Saudite, Emirateve të bashkuara Arabe dhe Egjiptit", thotë Omar Shakir, drejtor i organiaztës së të drejtave të njeriut Human Rights Watch në Izrael dhe në territoret palestineze. "Kjo lloj censure pasqyron rritjen e intolerancës të autoriteteve të Izraelit ndaj kritikave." Edhe organizata izraelite për të drejtat civile në Izrael, ACRI, e quajti këtë si një hap të mëtejshëm në serinë e masave kundër kujtdo që kritikon politikën e qeverisë.

Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahraini në fillim të qershorit i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe vendosën një embargo. Ndër kushtet e tyre për shfuqizimin e sanksioneve është edhe mbyllja plotësisht e këtij televizioni.