Tusk dhe Mogherini kompletojnë treshen kryesuese të BE-së
31 Gusht 2014Pas disa javë vonesash, Bashkimi Evropian e kompletoi treshen e tij udhëheqëse. Samiti i jashtëzakonshëm i kryetarëve të shteteve dhe të qeverive përcaktoi kryeministri polak Donald Tusk (57) për postin e Presidentit të ri të Këshillit të BE-së dhe ministren e Jashtme italiane Federica Mogherini (41) si shefe të politikës së jashtme të BE-së.
Liberal-konservatori Tusk dhe socialdemokratja Mogherini morën në takimin e së shtunës në Bruksel "mbështetjen e plotë" të samitit, tha përmbledhtazi Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy, i cili do të dalë në pension në fund të nëntorit. "Tusk dhe Mogherini do të bashkëpunojë në të gjitha çështjet ndërkombëtare për të mbrojtur interesat dhe vlerat e Evropës."
Kandidatura me probleme
Për të dy kandidatët u diskutua për një kohë të gjatë. Kundër kandidaturës së Tuskut sillej si argument mungesa e njohurive të anglishtes. Ai premtoi se në dhjetor do të jetë "100 për qind i gatshëm" për detyrën. Polaku Tusk do të jetë në detyrën e tij të re përgjegjës për përgatitjen përmbajtësore dhe drejtimin e samitit të BE-së dhe për këtë i nevojiten aftësi të veçanta negociuese.
Mogherini do të jetë si përfaqësuese e BE-së përgjegjëse për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian. Italiania konsiderohet si relativisht pa përvojë. Ajo është prej gjashtë muajsh ministre e Jashtme e Italisë. Politikanët e Evropës Lindore e konsiderojnë atë gjithashtu si miqësore ndaj Rusisë. Mandati i paraardhëses së saj, Catherine Ashton përfundon më 31 tetor.
Merkel përshëndet emërimin e Tuskut
Kancelarja gjermane Merkel e përshëndeti emërimin e Tuskut, i cili konsiderohet si i besuar i saj. Liberalkonservatori është një "evropian i pasionuar, i bindur dhe bindës". Sipas Merkelit Tusku ka gjithashtu meritën që marrëdhëniet gjermano-polak janë kaq të afërta sa kurrë më parë." Mandati i Tuskut vazhdon për dy vjet e gjysmë dhe mund të rinovohet. Tusku do të drejtojë edhe samitin e eurozonës, edhe pse Polonia nuk është anëtare e saj.
Prioritet i Tuskut: Kriza në Ukrainë
Duke iu referuar debatit mbi politikën ekonomike të BE-së Tusk tha se rritja ekonomike dhe kursimet nuk e përjashtojnë reciprokisht njera-tjetrën. Ai do që Britania e Madhe të vazhdojë të mbetet anëtare e BE-së. "E ardhmja e BE-së nuk është që ajo të bëhet më e vogël." Si detyrë e tij parësore në detyrë Tusku e sheh në gjetjen e një vije të përbashkët të BE-së në krizën e Ukrainë.
Emërimet në postet e tjera të Komisionit janë ende të hapura.