1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqia - ku po shkon ky vend?

Disa javë para zgjedhjeve në Turqi vendi është më i destabilizuar se kurrë, siç tregoi sulmi i fundit. Eksperti i Lindjes së Mesme Michael Lüders në intervistë me DW.

DW: Zoti Lüders, ju jeni aktualisht i ftuar si lektor në Turqi, në Sakarya. Cila është atmosfera në vend pas sulmit të përgjakshëm në Ankara?

Michael Lüders: Shumica e njerëzve janë shumë të trishtuar, kjo ndjehet. Ata janë të shqetësuar se ajo, që ka ndodhur në Ankara, se një sulm i tmerrshëm terrorist me aq shumë të vdekur, mund të përsëritet në vende të tjera në Turqi, në Stamboll, apo diku tjetër. Ka edhe shumë shqetësime në lidhje me pyetjen, cilët janë autorët e këtij sulmi. A është me të vërtetë "Shteti Islamik" (IS), siç pretendon qeveria turke, apo ka aktorë të tjerë, që luajnë një rol këtu? Dhe përse qeveria turke nuk lejon të mbahet zi? Në Ankara të gjitha gjurmët e sulmit janë zhdukur. As mitingjet e përmortshme nuk janë të mirëpritura. E gjithë kjo i bën njerëzit të pakënaqur. Dhe ata pyesin veten, ku e çon kjo Turqinë?

Z. Luders, dy sulme të mëdha që nga korriku, dhjetëa njerëz kanë vdekur. Pse Turqia sulmohet përsëri tani, pak para zgjedhjeve?

"Punët nuk duken mirë". Pohimi zyrtar i qeverisë, se kanë qenë terroristët e "Shtetit Islamik", duhet marrë me një farë rezerve. Kjo natyrisht që nuk përjashtohet, por "Shteti Islamik" ka marrëdhënie relativisht të mira me Turqinë. Ka luftëtarë të sëmurë të "Shtetit Islamik", që kurohen në Turqi. Ka luftëtarë nga vendet e huaja, që udhëtojnë për në Siri nëpërmjet Turqisë. Gazetat turke ngrenë akuza se nga Turqia shkojnë edhe furnizime me armë në drejtim të "Shtetit Islamik". Nafta, që shitet nga "Shteti Islamik", (IS) arrin nëpërmjet bandave mafioze pjesërisht edhe në Turqi. Duke u nisur nga ky sfond, nuk ka shumë kuptim që IS të kryejë një sulm terrorist të kësaj shkalle ndaj një "aleati" të madh të tij.

Kush fshihet me të vërtetë pas kësaj? Nuk e dimë. Pjesët prokurde të popullsisë turke e bëjnë qeverinë të paktën bashkëpërgjegjëse për këtë sulm. Por nuk ka natyrisht asnjë provë për këtë. Ne ndoshta kurrë nuk do ta marrim vesh, përse është kryer ky sulm, por me siguri që ka lidhje me zgjedhjet, që janë planifikuar për 1 nëntor. Kushdo që të jetë pas këtyre sulmeve, ai dëshiron të nxisë frikën në popullatën turke dhe të ushqejë tensionet mes kurdëve dhe turqve.

Michael Lüders: Punët nuk duken mirë

Eksperti Michael Lüders: "Punët nuk duken mirë"

A paguan kështu Turqia çminin e saj për një politikë të gabuar në Lindjen e Mesme?

Me siguri që mund të shihet kështu. Qeveria Erdogan në një fazë shumë të hershme ka rënë dakord me vendet perëndimore, por edhe me shtetet e Gjirit Persik që regjimi i Bashar al-Asadit duhet të përmbyset dhe kjo sa më shpejt të jetë e mundur. Por kjo nuk ka ndodhur. Regjimi i Asadit është ende në fuqi. Qeveria turke i ka hyrë një udhe pa krye. Tani ajo paguan çmimin në formën e destabilizimit të kufirit turk me Sirinë dhe Irakun dhe në formën e flukseve të refugjatëve.

Dhe problemi i pazgjidhur kurd i shkakton qeverisë turke shumë shqetësime. Sepse luftëtarët kurdë në veri të Sirisë janë të lidhur ngushtë me partinë e ndaluar PKK. Kjo shpjegon edhe atë, përse qeveria turke në mënyrë indirekte i lëshoi pe "Shtetit Islamik", kur ai bombardoi për javë të tëra qytetin kufitar kurd Kobane vitin e kaluar. Llogaria e qeverisë turke për të përdorur "Shtetin Islamik" në luftën kundër PYD - degës siriane të PKK-së dhe aleates së saj - nuk do të çojë në ndonjë rezultat të mirë. Kushdo që mendon lidhur me këtë, e di se mund të ketë vetëm një zgjidhje me bisedime mes qeverisë turke dhe PKK. Zgjidhja me marrëveshje ishte në rrugë të mbarë, derisa ajo u ndërpre nga Erdogani.

Pas sulmit në qytete të ndryshme të Turqisë ka tani protesta kundër qeverisë, veçanërisht kurdët dalin në rrugë. Qeveria reagon pjesërisht me forcë. A mund të kthehet ora pas dhe të ringjallet procesi i paqes?

Kjo me siguri që është e vështirë. Sidomos kur nuk mund të dallohet ndonjë riorientim brenda qeverisë turke. Nuk ka asnjë shenjë - të paktën që ne e dimë - se qeveria në Ankara mund ta rishikojë strategjinë e saj. Nuk ka asnjë dëshmi në këtë drejtim. Përkundrazi krijohet përshtypja se është rritur vendosmëria e qeverisë turke për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër kurdëve. Deklaratës së njëanshme të PKK-së, për të mbajtur armëpushimin deri në zgjedhje, qeveria turke i është përgjigjur duke bombarduar pozicionet e PKK-së. Duke u nisur nga kjo mund të supozojmë se gjërat do të përkeqësohen në Turqi.

Studjuesi i islamit Michael Lüders ka qenë për shumë kohë korrespondent i gazetës "Zeit" për Lindjen e Mesme. Tani punon në Berlin si këshilltar politik dhe ekonomik, publicist dhe autor.