1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Turqia kërkon dënimin e një gazetari në Kosovë

Ambasada e Turqisë kërkon dënimin e një gazetari në Kosovë për shkak të një “satire” në Facebook. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkesën e ambasadës turke e cilësoi "shkelje të rëndë”.

Ambasada e Turqisë në Prishtinë i ka kërkuar qeverisë së Kosovës të dënojë drejtorin e gazetës online Expres, gazetarin Berat Buzhala për shkak të siç thuhet komenteve të tij në Facebook, gjatë kohës së përpjekjeve për grusht shteti në Turqi.

Letrën e ambasadës të Turqisë në Prishtinë e publikoi agjencia e lajmeve Reuters dhe pothuaj të gjitha mediet vendase në Kosovë, ku thuhet se ambasada turke i ka shkruar Ministrisë së Jashtme të Kosovës, se "pronari dhe drejtori i përgjithshëm i portalit Gazeta Expres, Berat Buzhala, më 15 korrik ndërkohë që vinin lajme për përpjekjet për grusht shteti në Turqi, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Turqi, të vihen në anën e grupit që bëri përpjekje për grusht shteti". Ambasada këtë kerkesë për dënimin e gazetarit Buzhala, e bazon në një status të tij satirë në Facebook ku zoti Buzhala, thotë "i ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës që janë me pushime në Turqi të rreshtohen me ushtrinë”.

Kërkesën për dënimin e gazetarit Buzhala, ambasada turke e mbështet në ligjin për parandalimin e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja të miratuar vitin e shkuar në Kosovë. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk e ka komentuar kërkesen e ambasadës turke për dënimin e gazetarit Buzhala.

Ndërkohë vet gazetari Buzhala, u tha medieve se ai nuk është informuar për kërkesën, por sipas tij, "është e papranueshme që një qeveri e huaj bën një kërkesë të tillë për shkak të disa komenteve satirike." “Kjo dëshmon arrogancën e qeverisë turke ndaj vendeve të vogla si Kosova, duke dashur që pas nënshtrimit ekonomik, ta nënshtrojë edhe politikisht”, tha Berat Buzhala.

Ndërkohë për këtë rast ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që kërkesën e ambasadës turke e cilësoi "shkelje të rëndë”. "Rikujtojmë ambasadën turke se gazetarët në Kosovë e kanë të drejtën e lirisë së fjalës, e cila nuk guxon të rrezikohet nga askush pasi është e drejtë e garantuar me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. I kërkojmë ambasadës turke në Prishtinë që në afat sa më të shpejt të kërkojë falje për këtë veprim skandaloz, ndërkohë që po ashtu kërkojmë largimin nga Kosova të Ambasadores së Turqisë Kivilcim Kiliç. Një ambasadore që bën thirrje për arrestimin dhe dënimin e gazetarëve është e papranueshme për komunitetin tonë", thuhet në reagim e AGK-së. Gjatë kohës së përpjekjeve për grusht shteti në Turqi, institucionet më të larta të Kosovës në reagimin e tyre e kanë mbështetur rendin kushtetues të Turqisë.