1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqia ftohet me Naton?

Në lindje të NATO-s kërcënon Rusia, në jug terrorizmi dhe anarkia. Për çfarë problemi duhet të kujdeset më parë NATO? Në Turqi takohen ministrat e jashtëm të aleancës ushtarake.

„Nuk jemi aq të shqetësuar për krizat përreth, se sa për rusët, që nuk vijnë më“, thotë recepsionisti në një hotel plazhi në Antalia. Në këtë hotel luksoz janë vendosur përfaqësuesit e shtypit për samitin e NATO-s.

Qyteti turk Antalya ndodhet rreth 800 kilometra larg nga Siria. Njerëzit atje nuk ndjehen të rrezikuar nga luftërat dhe terroristët e "Shtetit Islamik“, konfirmon për Deutsche Wellen politologu Tarik Oguzlu. "Ato shqetësohen më shumë për krizën ekonomike në Rusi, jo për fatin e Ukrainës". "Njerëzit nuk mendojnë se Turqia mund të sulmohet nga terroristët islamistë". Edhe konflikti tjetër i madh me Rusinë për Ukrainën në lindje është shumë i largët për to.

Debati për krahun lindor

"Edhe qeveria turke mendon se NATO kujdeset shumë për pjesën lindore“, thotë politologu Tarik Oguzlu. Brenda përbrenda, sipas diplomatëve të BE, kjo gjë u kritikua edhe nga disa ministra të jashtëm të shteteve jugore, si Italia. Por së jashtmi kryeministri turk Ahmet Davutoglu u tregua i vendosur në Antalya. Ai deklaroi se edhe Turqia do të marrë pjesë në "trupën e ndërhyrjes së shpejtë“, për të dekurajuar Rusinë dhe për t’i dhënë shteteve anëtare në lindje një ndjenjë sigurie.

Kerry dhe Stoltenberg në takimin në Antalya

Kerry dhe Stoltenberg në takimin në Antalya

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi rolin e posaçëm gjeografik të vendit, si i vetmi vend anëtar i NATO-s, që kufizohet me Iranin, Irakun dhe Sirinë dhe kështu edhe me territore, që kontrollohen direkt nga „IS“.

Por pas kuintave ka grindje për rolin e Turqisë në aleancë. Marrëdhëniet e Turqisë me shtetet arabe, Egjiptin dhe Izraelin janë të këqia. Turqia përpiqet të krijojë profil me një politikë të jashtme të pavarur, duke u pozicionuar si fuqi rajonale përballë Iranit.

Ankaraja kërkon më shumë angazhim

Në Turqi diskutohet shumë, nëse anëtarësia e vendit në NATO është akoma e dobishme. "Në Turqi ka një lloj fryme kundër NATO-s dhe Prëndimit. Kjo sundon jo vetëm te elitat, por edhe në opinionin e gjërë“, thotë Oguzlu. Megjithatë Turqia si shtet vazhdon t‘i japë NATO-s një rëndësi të madhe, sidomos për shkak të zhvillimeve kaotike në Lindjen e Mesme.

Kryeministri turk Davutoglu ftoi kryetarët e shteteve në samitin e ardhshëm në 2018 në Turqi. Synimi prioritar i Anakarasë në konfliktin sirian është eleminimi i regjimit të kryetarit të shtetit Bashar al-Assad.

Davutoglu bëri të qartë se Turqia mbështet zyrtarisht aleancën.

Davutoglu bëri të qartë se Turqia mbështet zyrtarisht aleancën.

Në të kaluarën Turqia ka mbështetur grupet e rebelëve, që bëjnë pjesë në IS. Luftëtarët e IS, edhe nga Europa dhe SHBA, kanë hyrë në Siri dhe Irak nga Turqia. Turqia i hedh poshtë akuzat dhe kërkon nga NATO më shumë angazhim.

NATO-ja i ka vënë në dispozicion Turqisë sisteme mbrojtjeje nga raketat e tipit Patriot. Kjo nuk është e mjaftueshme, thotë pala turke. Ministrat e jashtëm të NATO-s kanë filluar ta kuptojnë ngadalë, se vemendja nuk duhet të përqëndrohet vetëm në lindje dhe Rusi.
Turqia kërkon nga NATO një zonë ndalim-fluturimi mbi veriun e Sirisë dhe Irakut. Deri tani Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë të NATO-s nuk janë të gatshëm për këtë, por i sulmojnë luftëtarët e IS me sulme të përqëndruara ajrore, por jo ushtrinë siriane.

Turqia sigurisht nuk do t’i shohë të forcuar as kurdët, të cilët përpiqen për një shtet të tyre në situatën kaotike. "Konflikti sirian po hyn tani në vitin e pestë", ankohet kryeministri turk. Shtatë milionë sirianë jetojnë ndërkohë në Turqi.

NATO qëndron në Afganistan

Konfliktet në Lindjen e Mesme deri në Jemen perceptohen nga shumë ministra të jashtëm të NATO-s në radhë të parë si konflikte ndërarabe, si "luftëra fetare" midis sunive dhe shiitëve. Perëndimi duhet të qëndrojë jashtë, sa më shumë që të jetë e mundur. "Ne nuk fillojmë kryqëzata kundër ndonjë vendi me orientim mysliman", tha një diplomat i NATO-s.

Por ministrat mundën të raportojnë të paktën për një vendim konkret. Misioni i trajnimit dhe mbështetjes në Afganistan do të vazhdojë edhe pas 2016. Në krahasim me 13.000 ushtarë, që janë të dislokuar sot, numri i trupave do të bjerë. Misioni do të drejtohet pastaj nga një civil, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg.