1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia drejton antenat drejt Afrikës

Evren Mesci16 Gusht 2008

Për të forcuar bashkëpunimin me këtë kontinent nga 18-21 gusht zhvillohet në Stamboll samiti i parë i kooperimit mes Turqisë dhe Afrikës nën moton "Solidaritet dhe partneritet i vërtetë për një të ardhme të përbashkët".

https://p.dw.com/p/Eydu
Fotografi: AP Graphics/DW

Në takimin e nivelit të lartë mes Turqisë dhe Afrikës do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga 53 shtete afrikane. Turqia synon që të shndërrohet në këto vende në vendin drejtues në sektorët e prodhimit, investimeve, teknologjisë, inovacioneve, financave, energjisë dhe turizmit.

Sipas Musa Kulaklıkaya, drejtor i Agjencisë turke për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim (TIKA), interesi i Turqisë për Afrikën ka nisur në fillim të vitit 2000 dhe takimi i Stambollit është një mundësi e rëndësishme për ta thelluar këtë kooperim.

"Takimi i krerëve të shteteve dhe të qeverive, i cili do të mbështet edhe prej pjesëmarrjes së aktorëve të tjerë, do të jetë një mundësi e mirë për të shtuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Afrikës dhe për të zbuluar fusha për kooperimin mes dy palëve."

Duke theksuar rëndësinë e Afrikës për starët e ardhshëm të ekonomisë botërore, Kinën dhe Indinë, Kulaklıkaya nënvizon avatazhet e Turqisë për të gjetur vend për investime në Afrikë:

"Me avantazhin që ne nuk kemi në historinë tonë probleme me Afrikën dhe nuk jemi pjesë e traditës koloniale, vendosëm të organizojmë këtë takim për ta ndihmuar Afrikën të zgjidhë problemet e saj, të përdorë potencialet e saj si figurë politike, të identifikojë fushat e bashkëpunimit ekonomik dhe të vendosë gjithashtu bashkëpunim kulturor mes popujve tanë."

Për të promovuar marrëdhëniet e Turqisë me vendet afrikane Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë vendosi të shtojnë numrin e misioneve diplomatike në këtë kontinent duke hapur 15 ambasada të reja si dhe një konsullatë të re në vendet e Saharasë së poshtme. TIKA operon drejtpërdrejt në 17 vende afrikane dhe kontribuon në projekte të tjera në mbi 30 shtete të Afrikës.

Politika e hapjes së Turqisë ndaj Afrikës i ka fillimet e saj në vitin 1998. Në kuadrin e zgjerimit të marrëdhënieve me Afrikën Turqia e shpalli vitin 2005 si "Vitin e Afrikës". Selda Ozdenoglu, eksperte për Afrikën, thotë se Turqia nuk mund t'i mbyllë sytë përpara këtij kontinenti:

"Sigurisht që Afrika ka rëndësi për Turqinë. Përderisa Afrika është një kontinent tepër i rëndësishëm për pjesën tjetër të botës dhe Turqia është një vend që dëshiron të luaj një rol për t'u shënuar në skenën ndërkombëtare, është e pamundur që ajo të tregohet e painteresuar ndaj Afrikës. Do të kishte qenë madje më mirë që mes të dyja palëve të kishte tashmë marrëdhënie të qëndrueshme.

Sipas mendimit të Ozdenoglu ajo që e dallon Turqinë nga vendet perendimore është se ajo i bazon marrëdhëniet me vendet afrikane mbi fitimin e të dyja palëve, sepse reciprociteti është shumë i rëndësishëm për këto marrëdhënie.

Turqia synon që deri në fund të vitit 2010 të arrijë një volum tregtar prej 30 million dollarësh me vendet afrikane. Përveç kësaj takimi i Stambollit, i cili organizohet nën kujdestarinë e presidentit Abdullah Gul, do të jetë edhe një mundësi e mirë për Turqinë që të sigurojë mbështetje për kadidaturën e saj për një vend në KS për periudhën 2009-2010.