1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Turqi: Erdogan ndryshon kabinetin

Vetëm pak orë pas dorëheqjes së tre ministrave në Turqi, kryeministri Erdogan ka ndryshuar kabinetin e tij në masë të gjerë:për shkak të skandalit të korrupsionit u emëruan dhjetë ministra të rinj.

Siç bëri të ditur kryeministri Rexhep Taip Erdogan, menjëherë pas takimit me presidentin Abdullah Gyl, krahas ministrave të Ekonomisë, të Brendshëm dhe Mjedisit, të cilët kishin dhënë më parë dorëheqjen, janë ndërruar edhe shtatë ministra të tjerë. Ndër ata të cilëve iu desh të largohen është edhe ministri për Evropën, Egemen Bagis.

Sipas njoftimeve në medie edhe ai ishte akuzuar se ishte përfshirë në skandalin rreth bankës shtetërore Halkbank. Por Bagis nuk është arrestuar dhe as nuk ka një padi të ngitur kundër tij. Postin e tij do ta marrë deputeti Mevlut Cavusoglu.

Çfarë roli luajnë djemtë e ministrave?

Të akuzuar për korrupsion - ministri i Ekonomisë Zafer Caglajan dhe ministri i Brendshëm Muarrem Gyler

Të akuzuar për korrupsion - ministri i Ekonomisë Zafer Caglajan dhe ministri i Brendshëm Muarrem Gyler

Të mërkurën (25.12.2013) ministri i Ekonomisë Zafer Caglajan, ministri i Brendshëm Muarrem Gyler dhe ai i Mjedisit Erdogan Bajraktar, bënë të ditur dorëheqjet e tyre. Djemtë e këtyre tre ministrave ishin vënë në shënjestër të drejtësisë gjatë hetimeve të skandalit të korrupsionit.

Ndërkohë që djemtë e Caglajan dhe Gyler janë në burgim hetimor, autoritetet lanë të lirë sërish pas marrjes në pyetje djalin e ministrit të Mjedisit Bayraktar. Në skandalin rreth bankës Halkbank janë arrestuar gjithsej 24 të dyshuar, ndër të cilët edhe shefi i bankës Syleyman Aslan. Ditë më parë mediet turke kishin informuar për ndryshimet në kabinet. Të martën (25.12.) edhe presidenti Gyl njoftoi se Erdogan menjëherë pas kthimit nga një vizitë e tij në Pakistan, do të ndërmerrte ndryshime në kabinet.

Provë force mes institucioneve

Skandali është kthyer në një luftë pushteti mes qeverisë dhe drejtësisë e policisë, të cilat Erdogan i akuzon se e kanë inskenuar skandalin për ta dëmtuar qeverinë e tij. Erdogan i kritikoi hetimet si "operacion të ndyrë" kundër qeverisë së tij, me përgjegjës brenda dhe jashtë vendit.

Të arrestuarit akuzohen se bënin pjesë në një rreth kriminal, që organizonte korrupsion të politikanëve. Fjala është për biznese të paligjshme me ar të bankës Halkbank me Iranin dhe përpjekjes për t'i fshehur këto biznese.