1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqi: Autoblindat patrullojnë, problemet mbeten

Pas tentativës së dështuar për puç në Turqi sërish vazhdon të jetë nën fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Gjendja të kujton fundin e viteve 1990, kur qeveria turke zhvillonte luftë kundër kurdëve.

Të gjitha dyqanet janë të hapura dhe nëpër rrugë gëlojnë njerëzit - Në Stamboll nuk ndihet shumë gjendja e jashtëzakonshme, që shpalli presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan pas tentativës së dështuar për puç. Në qytetet e mëdha qarkullojnë automjete të blinduara, imazh ky, me të cilin janë ambjentuar prej kohësh njerëzit në zonat juglindore të Turqisë. Gjendja e fundit e jashtëzakonshme më 1987 u vendos nën kryeministrin Turgut Özal. Ai duhej të luftonte partinë kurde të punës, PKK.

Në provincat e banuara kryesisht prej kurdëve në juglindje qeveria e atëhershme me këtë masë ia arriti qëllimit - e krijoi kësisoj premisat për mijëra vrasje të pazbardhura, tortura sistematike, djegien e fshatrave dhe të tjera shkelje të të drejtave të njeriut.

Shumica e popullsisë turke këtë e konsideron tashmë histori. Sepse në vendin me gati 79 milionë banorë, 47 milionë kanë lindur pas vitit 1980, kur pat ndodhur një puç ushtarak më pak i bujshëm. Më shumë se gjysma e të gjithë turqve asnjëherë nuk janë konfrontuar me një grusht shteti - deri sivjet më 15 korrik.

Kujtim ndaj të vdekurve

"Familja më ka treguar për grushtet e atëhershme të shtetit", thotë studentja 19 vjeçare Lorin Dogantürk për DW. "Por është vështirë ta përfytyrosh, që këto mund të ndodhin përsëri sot". Kjo vajzë e re thotë, se ka shqetësime nga pagjumësia, që nga nata e tentativës për puç: "Zhurma e avionëvë që fluturonin, lajmet, prej të cilave mësonim se çfarë po ndodh, rritja e numrit të të vdekurve, bombat - më duket se në çdo çast këto mund të ndodhin sërish."

Kujtimi ndaj 246 njerëzve të vdekur, që u vranë natën e 15 korrikut, është ende i gjallë në Stamboll. Në sheshin Taksim është vendosur një pllakatë, ku mund të lexohen emrat e viktimave, monitorët paraqesin në metro dhe nëpër autobusë fotografitë e të vdekurve.

Disa banorë të Stambollit gjendjen e jashtëzakonshme e konsiderojnë si qetësuese. "Deri më sot nuk kam përjetuar diçka të tillë. Ajo mund të jetë efikase - dashtë Zoti", meindon 27 vjeçari Ibrahim Kuncu. Deri sa të dënohen të gjithë përgjegjësit për puçin, duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. "Ne qëndrojmë pas shtetit tonë", shton ai.

"Forcë dhe shpresë"

Pronari i dyqanit Kenan Seker pret nga shteti turk, që ai t'i kapë sa më shpejt të jetë e mundur puçistët. "unë nuk do ta harroj gjatë gjithë jetës sime natën e 15 korrikut", thotë 40 vjeçari. Pasi ai ndoqi në televizor bombardimin e godinës së parlementit doli në rrugë. Pak pas kësaj ai mësoi se si një ndërtesë ushtarake aty pranë u pushtua prej masës së njerëzve. "Kur pamë që masa e njerëzve nëpër rrugë po rritej vazhdimisht, kjo na dha forcë e shpresë," kujton Kenan Seker.

Ligjet, që tani janë në fuqi, i kujtojnë gazetarit Fehim Isik vitet 1990. "Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme qeveria ka mbledhur pushtet të jashtëzakosnhëm rreth vetes", mendon ai. Ai nuk u beson përbetimeve të presidentit Erdogan, që gjendja e jashtëzakonshme ka të bëjë vetëm me puçistët, që kanë infiltruar në shtet, sipas tij.

Konflikte të reja, receta të vjetra

"Për fat të keq është e pamundur të mos bëhesh pesimist lidhur me këtë çështje," thotë Isik. Politika represive e qeverisë lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme është alarmuese. "Madje në kohët e konfliktit masiv nuk është shpallur gjendje e jashtëzakonshme", thotë Isik duke iu referuar konfrotimit të vazhdueshëm mes forcave turke të rendit dhe PKK-së. Qendrimi i qeverisë është sot më brutal se para 30 vjetësh.

"Ata që e drejtojnë vendin, nuk mund të veprojnë verbërisht. Sa ka të bëjë kjo me politikën ndaj kurdëve, madje ajo nuk u përmbahet as ligjeve të veta," vëren gazetari Isik. Nuk besoj, që qeveria e Erdoganit do të jetë e hapur seriozisht ndaj kurdëve, thotë ai . Isik arrin në konkluzionin, se "vetëm pasi Erdogani të arrijë atë që dëshiron, pra kontrollin e plotë ndaj vendit, situata mund të ndryshojë."