1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trysni mbi Prishtinën

Bekim Shehu11 Maj 2012

Qeveria e Kosovës, thotë se në veri do të përpiqet që të implementojë planin e Ahtisarit dhe pret që të dialogojë edhe me qytetarët serb atje me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/14tqI
Samuel Zhbogar, përfaqësues i Bashkimit Evropian për Kosovën
Samuel Zhbogar, përfaqësues i Bashkimit Evropian për KosovënFotografi: AP

Autoritetet ndërkombëtare po bëjnë trysni mbi institucionet e Kosovës, që të kenë një qasje gjithpërfshirëse për veriun e Kosovës. Sipas përfaqësuesve ndërkombëtar në Kosovë, për veriun duhet të punohet aktivisht, sepse njerëzit në veri duhet të ndjehen më mirë për ta pranuar realitetin në Kosovë. Samuel Zhbogar, përfaqësues i Bashkimit Evropian për Kosovën, thotë se sapo të ulën tensionet që sipas tij, u krijuan  gjatë zgjedhjeve të Serbisë, Prishtina zyrtare duhet të hartojë planin për veriun.

Prishtina zyrtare duhet të hartojë planin për veriun

"Nuk mendoj se unë duhet t'i them Kosovës se çfarë duhet të jetë plani për veriun. Mendoj se qeveria dhe njerëzit në Kosovë e dinë më mirë se si t'u qasen dhe t'u shtrijnë dorën njerëzve në veri, për t'i bindur se Kosova është dhe dëshiron te mbetet shoqëri shumetnike, që Kosova e mirëpret komunitetin serb dhe që do të bëjë gjithë çfarë është e mundur që serbët të qëndrojnë aty ku janë,”" thotë Samuel Zhbogar, në kuadër të  manifestimeve të ndryshme për ditët e Evropës.

Presidentja Atifete Jahjaga, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi
Presidentja Atifete Jahjaga, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim ThaçiFotografi: DW

 Qeveria e Kosovës ka kohë që ka një plan për veriun që përfshinë investime në shumë fusha, përfshirë infrastrukturën, arsimin shëndetësinë, por, kjo po i pamundësohet për shkak të refuzimit të serbëve të atjeshëm.

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës, thonë se janë të gatshëm të bisedojnë me qytetarët serb të veriut, por, jo që në këto biseda të përfshihet edhe Beogradi zyrtar. Zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi, thotë se bisedat me qytetarët e veriut do të ndodhin me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.    

 Jemi të gatshëm që të bisedojmë me serbët e veriut

 "Ne do të përpiqemi që ta bëjmë implementimin e plotë të pakos së Marti Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe natyrisht në këtë drejtim ne presim që të dialogojmë me qytetarët tane serb atje me ndihmën dhe partneritetin ndërkombëtar që është në Kosovë, por veriu nuk është pjesë që diskutohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për teritorin e Kosovës”, thotë Hajredin Kuçi. 

Mirëpo, megjithë deklarimet e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, se Beogradi nuk duhet të përfshihet në çështjen e veriut të Kosovës, Samuel Zhbogar, thotë se diskutimet me Serbinë mund të ndodhin më vonë. 

Driton Lajqi, analist politik
Driton Lajqi, analist politikFotografi: DW

Për veriun e Kosovës diskutimet me Serbinë mund të ndodhin më vonë

 "Mendoj se çështja duhet të fillojë me qasjen ndaj komunitetit në veri dhe diskutimet me Serbinë do të ndodhin më vonë, varësisht nga roli që i përshkruhet Serbisë. Por si shtet që ka qytetarë këtu, besoj se do të jetë e përfshirë në një të ardhme, por mendoj se fillimi është në qasjen ndaj veriut” " thotë Samuel Zhbogar.

Ndërkohë, analisti politik, Driton Lajqi, thotë se megjithë trysninë e bashkësisë ndërkombëtare që duhet të bisedohet për  veriun e Kosovës, akoma është e paqartë se më kë duhet të bisedojë qeveria e Kosovës.

"ideja se duhet të dialogohet drejtpërdrejt me serbët, ajo duhet të precizohet se me kë duhet të bisedohet. Zgjedhjet lokale që mbajtën serbët e atjeshëm, janë jo legale madje edhe për vet Beogradin zyrtar, prandaj këto tri komuna në veri duhet t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë demokratike në bazë të planit të Marti Ahtisarit, pastaj, të krijohet mundësia që të dialogojnë me Prishtinën zyrtare” " thotë Driton Lajqi.

 Beogradi mund ta lehtësojë dialogun me serbët e veriut

Driton Lajqi, mendon se autoritetet e Beogradit mund ta lehtësojë dialogun e Prishtinës me serbët e veriut, sepse, Beogradi ka ndikim te qytetarët serb në veri të Kosovës. "Mirëpo se cila  mund të jetë  ndihma e Beogradit do të varet edhe nga fakti se kush  vjen në pushtet në Serbi, sepse nëse në  pushtet vijnë forcat nacionaliste, atëherë dialogu me ta do të jetë i pamundshëm”,"  thotë Driton Lajqi.      

Hajredin Kuçi Zëvëndëskryeministër
Hajredin Kuçi ZëvëndëskryeministërFotografi: DW/Bekim Shehu

 Sidoqoftë, qeveria e Kosovës akoma nuk e sqaron se me kë mund të flas në veri të Kosovës. Të vetmit përfaqësues serb në veri tash për tash, janë ata të strukturave  paralele serbe që nuk i njohin institucionet e Prishtinës. Samuel Zhbogar, thotë se Bashkimi evropian e ka bërë të qartë se strukturat paralele serbe janë të papranueshme dhe ato duhen shpërbërë. Edhe analistët politikë, thonë se për nisjen e një dialogu në veri, fillimisht duhen larguar strukturat paralele, e pastaj të fillonte një proces i ndërtimit të mirëbesimit me serbët në veri, si një proces tranzicioni deri në mundësinë e organizimit të zgjedhjeve lokale në veri nga institucionet e Kosovës, që do të mund të mbaheshin krahas organizimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale në tërë Kosovën.