1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Trendafilova fuqimisht e motivuar

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterine Trendafilova mbajti sot në Hagë konferencën e parë për shtyp.

Gjyqtarja Trendafilova foli për procedurat, mbrojtjen e dëshmitarëve, personat që eventualisht mund të akuzohen për krime lufte në Kosovë.

Trendafilova tha se ajo është "fuqimisht e motivuar që institucioni që drejton (Dhomat e Specializuara ku do të gjykohen ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte) do t'u përmbahet standardeve më të larta ligjore". Trendafilova shpreson se në këto Dhoma do të "merren vendime më cilësore" dhe premton se puna do të "jetë e ndershme dhe e nivelit më të lartë profesional".

Dhomat kanë arritur të kryejnë punën deri tani sipas afateve të përcaktuara kohore, tha kryetarja e Dhomave të Specializaura, por ajo nuk ishte në gjendje të saktësojë se kur do të fillojnë edhe proceset e para.

Në pyetjen e Deutsche Welle-s se kush do të gjendet në listat e të akuzuarve, pasi në Kosovë përmenden emrat e krerëve të shumë institucioneve – duke nisur prej Presidentit, kryetarit të Parlamentit dhe më tutje – dhe kur do të fillojnë proceset e para, Trendafilova tha se për momentin nuk mund të flitet për emrat e veçantë, sepse kjo është tërësisht në duart e prokurorëve. Por ajo shtoi se "proceset e para priten së shpejti". Se ç'do të thotë kjo së shpejti, mbetet të shihet – pasi prokurorët ende nuk e kanë përfunduar punën e tyre në përpilimin e akuzave për krime eventuale.

Gjykata e gatshme

Kryetarja Trendafilova pohon se tanimë janë emëruar edhe disa gjykatës të cilët do të kryesojnë proceset dhe janë miratuar disa dokumente të rëndësishme që mundësojnë fillimin e punës dhe kryerjen e procedurave të domosdoshme të Dhomave të Specializuara. Në përfundim e sipër është edhe harmonizimi i parimeve dhe i procedurave konkrete për këto procese.

"Gjykatësit kanë treguar deri tani profesionalizëm dhe njohuri të shkëlqyer, përkushtim dhe kanë mundësuar procedura efikase” theksoi Trendafilova.

Lidhur me vendimin  e Gjykatës Kushtetuese se 9 nga 208 rregullat e Rregullores për Procedurën e Provave nuk janë të harmonizuara si duhet dhe kërkohet rishqyrtim, Trendafilova tha se "kjo kërkesë për rishqyrtim në asnjë mënyrë nuk zbeh cilësinë e punës së kryer deri tani”.

Autoritetet janë duke analizuar të gjitha detajet me qëllim që të përmirësohet cilësia e punës së Dhomave të Specializuara. Këto korrigjime pritet të miratohen deri në fund të majit, ndërsa Rregullorja e Procedurës së Provave do të futet në fuqi shtatë ditë pas miratimit të tyre.

Nder që kryen këtë punë

Ekaterine Trendafilova pohon se "e konsideron si nder të madh që i është besuar kjo punë dhe ky mision, për të drejtuar Dhomat e Specializuara”. Ajo disa herë përsëriti se ndër prioritetet më të rëndësishme janë ruajtja e pavarësisë së punës së gjykatësve, ikja nga ndikimi politik apo ekonomik, evitimi i ndërhyrjeve dhe siguria e plotë e dëshmitarëve, por edhe ruajtja e të drejtave elementare të personave të akuzuar. Trendafilova konstatoi se ata garantojnë "funksionimin e Dhomave të Specializuara mbi bazën e ligjeve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare” si dhe mbrojtjen e të drejtave të akuzuarve dhe sigurinë e dëshmitarëve.