1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë:Përurohet qendra Goethe, partnere e Institutit Goethe

29 Shtator 2016

Në Tiranë filluan sot aktivitetet për javët e kulturës gjermane, të njohura si Tetori gjerman. Në këtë kuadër u përurua edhe qendra e re Goethe.

https://p.dw.com/p/2Qia7
Eröffnung  des Goethe Zentrums in Tirana
Fotografi: Toni Golloshi

"Me siguri që nuk ka asnjë gjuhë tjetër në botë, e cila është kaq pa sistem dhe e çorganizuar dhe kaq e vështirë për t'u kapur sa gjermanishtja. Njeriu i shkretë hidhet e përdridhet në të si në ndonjë det të tërbuar plot tallaze.” – këto e pohime të tjera nga shkrimi i Mark Tuenit ”Gjuha e tmerrshme gjermane" që ishin pjesë e performacave artistike të orfruara në përurimin e qendrës Goethe, partnere e Institutit Goethe në Tiranë, nuk i trembin aspak shumë të rinj shqiptarë që duan të mësojnë gjermanisht. Përkundrazi numri i tyre shtohet nga viti në vit dhe për këtë ky institucion i kulturës gjermane në Shqipëri ofron tani edhe më shumë kurse për gjermanishten në ambientet e reja në Tiranë. 

4000 kursantë në vit

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, e pranishme në ceremoninë e përurimit tha se në ndërtesën e re, "jo vetëm që do të ndërmjetësohet kultura dhe gjuha gjermane, por se ato do të jenë aty në shtëpinë e tyre”. Ajo theksoi se gjermanishtja bën pjesë ndër gjashtë apo tetë gjuhët më të rëndësishme të botës dhe se mësimi i gjermanishtes është një investim i mirë në të ardhmen.

Albanien Leiterin des Goethe-Zentrums Tirana Petra Behlke-Campos
Fotografi: DW/Pandeli Pani

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se gjuha dhe kultura gjermane kanë një vend të rëndësishëm në Shqipëri dhe theksoi edhe veprimtari të tjera që shërbejnë si ura lidhëse dhe komunikimi mes vendeve, si rrjeti i përkthimit Traduki, që ka mudësuar edhe përkthimin e mjaft veprave nga gjermanishtja në shqip dhe anasjelltas.

Sot në kurset që ofron qendra Goethe marrin pjesë rreth 4000 vetë në vit. Po ashtu i madh është edhe numri i pjesëmarrësve në më tepër se 600 provimet e gjuhës gjermane që ofron Instituti Goethe në vit.

Por qendra Goethe është zhvilluar gjatë këtyre viteve jo vetëm si ofruese e kurseve të gjermanishtes, por edhe si një aktore e angazhuar e kulturës gjermane. Në kuadër të tetorit gjerman qendra Goethe organizon shfaqjen teatrale "Nata Arabe”, shfaqjen e disa filmave gjermanë, diskutime për mediet sociale dhe disa aktivitete të tjera, tha për DW-në drejtorja e qendrës Goethe, Petra Behlke-Campos.

Por shfaqje filmash, veprimtari të ndryshme kulturore, seminare dhe workshope kjo qendër organizon gjatë të gjithë vitit.