Tirana - qëndrim paradoksal ndaj dënimit moral të krimeve të komunizmit
28 Janar 2008Kryeministri Berisha do ta quante historike seancën parlamentare të miratimit të saj dhe do të kritikonte ashpër opozitën „që nuk guxoi të dënojë të kaluarën komuniste". Asokohe kreu i qeverisë së Tiranës do ta vlerësonte zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit një detyrim madhor pasi „rezoluta është e ekuilibruar dhe do ta bëjë shoqërinë shqiptare më qytetare dhe më të sigurtë." Pas dy vitesh ish të përndjekurit politikë konstatojnë se nuk është bërë asgjë për të filluar procesin e dënimit moral të krimeve të komunizmit.
Njëri prej tyre, historiani Uran Butka mendon se jo vetëm nuk jane ngritur strukturat e rekomanduara nga KE për të planifikuar veprimtari që të njohin brezin e ri me të vërtetat e periudhës së shkuar që ata nuk e jetuan, por ende nuk janë hequr simbolet komuniste nga godinat qeveritare. "Në godinën e Kryeministrisë, tha ai, janë ende simbolet e shtetit komunist thua se shteti në Shqipëri erdhi me atë regjim, kur më parë ka egzistuar shteti i Arbrit apo shteti në kohën ë Skënderbeut."
Zbatimi i Rezolutës së Këshillit të Europës kërkon ngritjen e një komiteti të posaçëm që të projektoje dhe realizojë veprimtari që dënojnë të shkuarën komuniste, duke filluar nga pastrimi i teksteve shkollore nga ideologjia komuniste deri tek heqja e simboleve apo hapja e dosjeve të ish bashkëpunëtorëve të policisë sekrete të diktaturës komuniste, sigurimit famëkeq. Në listën e gjatë të detyrimeve që përmban kjo rezolutë vetëm njëri ka marrë rrugën e zgjidhjes: dëmshpërblimi i atyre që vuajtën internime dhe jo burgosje si pasojë e luftës së klasave për gjithë kohën që ishin të internuar, me një shpërblim prej 25 eurosh për çdo muaj. Por thelbi i Rezolutës, hapja e dosjeve të ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit mbetet ende një çështje që vjen dhe ikën nga politika e ditës në Tiranë sipas interesave të rradhës duke mbetur e pazgjidhur. Në mënyrë paradoksale, Shqipëria, ku instrumenti i diktaturës komuniste , lufta e klasave, pati viktimat më të shumta në raport me popullsinë, është më prapa vendeve të tjera të ish Lindjes Komuniste.