1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Times": Merkeli "Person i vitit 2014"

Sipas gazetës britanike Merkel ia ka dalë të profilizohet si gruaja e pushtetshme që ndërmjetëson në kohën e krizave më të vështira në botë. Ajo e ka rikthyer perëndimin tek vlera e tij themelore.

Gazeta konservatore "Times" shpall kancelaren gjermane Angela Merkel si "Personin e vitit 2014". Në një analizë të po kësaj gazete për këtë vendim theksohet se Merkeli ia ka dalë të paraqesë një profil të qartë dhe këmbëngulës. "Në 12 muajt e fundit institucionet e pas luftës si NATO, BE dhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara treguan se nuk janë të afta për t'i bërë ballë krizave si ajo e Ukrainës dhe terrorit të xhihadistëve. Politikanët nuk i kanë dalë ballazi kërcënimit të regjimeve diktatoriale dhe ushtrive bastisëse. "

"Times" vëren se në këtë rang politikanësh vetëm njëra ia ka dalë të profilizohet siç duhet: Kancelarja gjermane Angela Merkel. "Ajo është kthyer në një ndërmjetësuese të pushtetshme mes Lindjes dhe Perëndimit. Në shumë orë bisedimesh direkte ndërmjetësuese me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin ajo është përpjekur t'i tregojë kufijtë ambicieve të tij."

Merkel mit Purin Archiv Juni 2014

Merkel flet me Putinin gjatë cereominsë përkujtimore për zbarkimin e aleatëve në Normandi, qershor 2014

Gazeta konservatore britanike e lëvdon kancelaren gjermane për kthimin e perëndimit në vlerat e tij. "Perëndimi me ndihmën e saj është përqëndruar tek vlerat e tij themelore duke u bërë i vetëdijshëm se përse ia vlen të luftosh. Merkel është politikanja më e shkëlqyer në Europë, gruaja më e fuqishme e botës - dhe për Times - "Personi i vitit 2014."

Bisedime të vështira në Minsk

Një nga angazhimet më të rëndësishme të kancelares Merkel gjatë vitit 2014 ka qenë gjetja e një zgjidhjeje për krizën në Ukrainë. Ndërmjetësimi i Gjermanisë mes palëve ka qenë i fuqishëm, sidomos në ruajtjen e dialogut në grupin e kontaktit. Ndërkohë në Minsk grupi i kontaktit është takuar rishtazi të premten (26.12)për bisedimet e paqes me qeverinë e Kievit dhe separatistët prorusë. Të dyja palët duket se kanë vështirësi të afrohen. I vetmi konfirmim sipas të dhënave të separatistëve, citojnë mediat, ka qenë shkëmbimi i të burgosurve.

Italien Deutschland UkraineTreffen Petro Poroschenko und Angela Merkel in Mailand

Merkel bisedon me Poroshenkon gjatë një takimi në Milano në kuadër të samitit ASEM, tetor 2014

Në bisedimet e Minskut separatistët duan që qeveria në Kiev t'i japë fund bllokadës ekonomike në Donbas. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për mosrespektim të armëpushimit të arritur tre muaj më parë në Minsk. Në bisedimet e Minskut marrin pjesë edhe përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE.